Lajme

LDK-ja refuzon tryezën e thirrur nga Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar thirrjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një tryezë të përbashkët mes krerëve politikë në luftën ndaj koronavirusit.

Përmes një postimi në Facebook, ish-zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka thënë se kjo tryezë nuk shërben për asgjë.

“Vlerësoj se nuk ka nevojë për tryezë politike me një qeveri që i ka ditët e numëruara, e rrjedhimisht nuk mund të marrë kurrfarë zotimesh, dhe që dy here radhazi e shkel kushtetutën. Masat për kufizim të lëvizjes janë marrë pa u konsultuar me askënd. Sa unë isha në qeveri, personalisht i pata kërkuar të mos e nënshkruante atë vendim, sepse kishim dyshime për shkelje kushtetuese. Edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ky ndërmori masa në kundërshtim me atë aktgjykim si dhe masa për mbështetje për biznese prapë pa konsultim me askënd”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, “në fakt, plot vendime të qeverisë imponoheshin nga ai pa asnjë konsultim paraprak, duke i kthyer ministrat në makineri votimi”.

“Pak humor, por është fakt se disa herë më parë kanë ardhur ministrat në takimin e qeverisë e mandej iu është shpërndare agjenda e takimit. Prandaj, edhe kjo tryeze që ka ftuar nuk shërben për asgjë. Sepse ai nuk është i gatshëm të punojë me të tjerët, siç u pa në 52 ditë të qeverisjes me qëndrimin e tij autoritar dhe vendimet arbitrare, që quan në ndërprerjen e bashkëpunimit me LDK dhe shkarkimin e tij. Tani, në vend qe ai vetë të kërkojë që sa më parë të dorëzojë detyrën, pasi 82 deputetë ia kanë hequr besimin që të qeverisë me vendin, ai bene lloj lloj maniverzime procedurale për të qëndruar në pushtet”, ka shkruar Hoti.

Sipas ish-zëvendëskryeministrit Hoti, “prandaj, duhet të themelohet sa më parë një Qeveri e re që nuk e shkel kushtetutën, që është profesionale, komunikuese me të gjithë, me mentalitet demokratik, që ndërton konsensus shoqëror, që bashkëpunon me bizneset, akademinë, shoqërinë civile dhe në veçanti me miqtë ndërkombëtarë, për të tejkaluar krizën me pandeminë dhe për të rimëkëmbur ekonominë”.