Maqedoni e Veriut/ Ora policore në fundjavë, plot 85 orë
Ora policore gjatë ditëve të punës do të vazhdojë të jetë si javën e kaluar, nga ora 16 deri në ora 5 e mëngjesit të ditës që vijon. Megjithatë shtohen kufizimet për fundjavë për të shmangur festimet e festës së Pashkëve. Ora policore e fundjavës do të fillojë të premten në ora 16 dhe do të zgjasë deri të martën në ora 5 e mëngjesit, ose, 24 orë më shumë se fundjava që lamë pas.
Izolimi total prej 61 orësh gjatë fundjavës rezultoi me qindra shkelje dhe të qindra të arrestuar. Nga e premtja në ora 16 dhe deri të hënën në ora 5, orën policore e kanë shkelur 389 persona, 297 prej të cilëve janë arrestuar kurse të tjerëve u janë marrë të dhënat dhe do të procedohen për shkelje. Ministri i Brendshëm Naqe Çulev njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, më shumë shkelje janë regjistruar në Shkup. Ai shprehu mirënjohje për qytetarët që kanë respektuar masat.
Gjatë fundjavës, nuk janë përjashtuar mbledhjet nëpër shtëpi private, sidomos nëpër vendbanimet rurale. Megjithatë nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se nuk kanë kompetencë të kontrollojnë paraqitjet eventuale për rastet e këtilla.