Të fundit

Sinani: Duhet mobilizim dhe solidaritet nga gjithësecili prej nesh, në veçanti nga organet kompetente të pushtetit lokal

Kryetarja e PVD-së dega në Preshevë znj.Ardita Sinani, ka reaguar në lidhje me situatën që është krijuar së fundmi në komunën e Preshevës nga virusi Covid-19, përcjell Ministria Lajmeve.

Sinani përmes një postimi në llogarinë e saj në facebook, iu është drejtuar qyetarëve të vendit se në këtë situatë të jashtëzakonshme të gjithë së bashku duhet të jemi solidarë dhe të bashkuar për ta mundur “luftën”ndaj koronavirusit.

Ajo tutje ka shtuar se për t’ia dalur me sukses nga kjo sfidë duhet mobilizim dhe impenjim nga gjithësecili prej nesh, e në veçanti nga organet kompetente në kuadër të pushtetit lokal.

“Me këtë rast dhe për këtë arsyeje unë i bëj thirrje pushtetit lokal që të jetë në lartësinë e seriozitetit, detyrës dhe obligimeve të veta duke ngritur nivelin e identifikimit dhe përkujdesjes për shumë familje në nevojë.”- deklaroi znj.Sinani

Postimi i plotë pa ndërhyrje :

Të dashur qytetar të Komunës së Preshevës, të gjithë së bashku jemi duke kaluar një situatë të jashtëzakonshme shkaku i pandemisë.

Kjo situatë në të cilën gjendemi kërkon një mobilizim dhe solidaritet të përgjithshëm nga secili prej nesh, në veçanti nga organet kompetente në kuadër të pushtetit lokal.

Gjendja e vështirë ekonomike ka bërë që disa nga bashkëqytetarët tanë ta kenë më të vështirë këtë situatë.

Me këtë rast dhe për këtë arsyeje unë i bëj thirrje pushtetit lokal që të jetë në lartësinë e seriozitetit, detyrës dhe obligimeve të veta duke ngritur nivelin e identifikimit dhe përkujdesjes për shumë familje në nevojë.

Në këtë kohë, komuna e Preshevës duhet të sigurohet që ç’do familje t’i ketë gjërat elementare, të nevojshme për një jetë sa më normale.

Njëkohësisht, në këtë situatë kur shumë nga bizneset lokale janë të mbyllura dhe rrezikojnë falimentimin, duke rrezikuar që të lënë shumë punëtor pa punë, shumë familje pa burimin e vetëm të ekzistencës, i bëj thirrje pushtetit lokal që ta ngrit nivelin e seriozitetit duke hartuar një plan të veprimit për të ndihmuar këto biznese.

Situata e kërkon që komuna e Preshevës me urgjencë t’i ndihmoj financiarisht bizneset lokale, në mënyrë që asnjë biznes të mos falimentoj, asnjë punëtor të mos mbetet pa punë!

Të dashur qytetar, dua që të ju inkurajoj që pa panik, me kujdes të shtuar të rrini në shtëpitë tuaja, duke respektuar rregullat e vendosura nga profesionistët sepse të bashkuar dhe me ndihmën e Zotit do ta kalojmë këtë situatë!

Me respekt !
Ardita SINANI