Lajme

Deputetja e PDK-së: Kryeministër edhe veriu është pjesë e Kosovës, atje po zbatohen masat e Serbisë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka bërë të ditur se në pjesën veriore të Mitrovicës janë duke u zbatuar masat mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19 të cilat i ka vendosur Qeveria e Serbisë dhe jo masat që ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Sipas Musliu-Shoshit, me këtë veprim, po rrezikohet edhe jeta e qytetarëve të tjerë shqiptarë që jetojnë në veri të Mitrovicës.

Postimi i plotë i saj:

Shtrohet pyetja: A është duke u respektuar vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e emergjencës për shëndetin publik në tërë territorin e Republikës së Kosovës?

Sot në veri të Mitrovicës janë duke u zbatuar masat e Serbisë për mbrojtje ndaj pandemisë COVID-19 dhe është ndaluar lëvizja e lirë e banorëve për shkak të vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga shteti i Serbisë.

Kryeministri Kurti, nuk e tha asnjë fjalë të vetme e nuk ndërmorri asnjë veprim institucional në funksion të respektimit të masave të cilat i ka vendosur qeveria, të cilat vlejnë për gjithë territorin e Kosovës.

Kryeministër, edhe në atë pjesë të Kosovës ke qytetarë që vuajnë dhe presin ndihmë nga Ju!.