Sporti

Juventusi ndalet në shtëpi, barazon me Parman

Juventusi është ndalur në shtëpi me barazim 3-3 ndaj Parmas në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të në Serie A.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi në përgjithësi Bianconerëve, të cilët përveç menaxhimit të lojës dhe rasteve, arritën të shënojnë edhe një gol.

Rasti i parë ideal ishte ai i minutës së 34-të kur Sami Khedira goditi shtyllën, ndërsa goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 36-të dhe ishte Cristiano Ronaldo që shënoi për 1-0.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë dhe të dyja skuadrat arritën të krijojnë shumë dhe të shënojnë nga dy, respektivisht tri gola nga Parma.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 62-të dhe ishte Daniele Rugani  që shënoi për 2-0, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Parma ngushtoi rezultatin 2-1 me anë të Antonino Barilla.

Ky gol shkundi Juventusin që u hodh shpejt përsëri në sulm dhe në minutën e 66-të gjeti përsëri golin me anë të Ronaldos, i cili shënoi me kokë për 3-1.

Në minutën e 74-të Parma u kthye përsëri në lojë me anë të Gervinhos, i cili shënoi me thembër për 3-2, ndërsa në minutat shtesë sulmuesi gjeti edhe golin e barazimit 3-3 duke vulosur rezultatin përfundimtar.