LajmeTë fundit

Kurti: Me Mustafën u morëm vesh që tri ditë pas certifikimit të rezultatit ta bëjmë qeverinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se zhvilluan një takim konstruktiv dhe theksoi se në të njëjtën kohë po zhvillohej edhe takimi i grupeve punuese të të dy partive që po e harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisës.

Sipas tij, në këtë takim u diskutua për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u morën vesh që një orë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, do të takohen në mënyrë që ta bëjnë marrëveshjen brenda 3-4 ditëve.

“Jemi marrë vesh që të takohemi 1 orë pas certifikimit të rezultateve dhe të merremi vesh, me ç‘rast ftesa ime dhe përgjigja pozitive e kryetarit Mustafa është tashmë e dhënë se një orë pas rezultateve të KQZ-së, ne do të takohemi për ta kryer brenda 72 orëve ose më pak se 100 orëve marrëveshjen tonë përfundimtare për koalicionin qeverisës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë takimet mes grupeve punuese për harmonizimin e programit qeverisës i cili i ka 26 faqe tekst.

Kreu i VV-së thotë se me këtë kanë dëshmuar një kulturë të re të formimit të qeverisë.