Kamberi i përgjigjet Salihut/ Duhet ta dini se PVD nuk ka heshtur as në situatat kur në Luginë të Preshevës kanë qëndruar “ujqër të gjallë”
Kryetari i K.K të Preshevës Sami Salihu, para ca ditësh përmes një shkrimi iu është përgjigjur kritikave të Shaip Kamberit, që ky i fundit i kishte bërë lidhur me incidentin e ndodhur në Kuvendin komunal në Preshevë.
Mirëpo shkrimit të Salihut iu është kundëpergjigjur kryetari i PVD’s Shaip Kamberi.
Ky është reagimi i plotë :
I nderuari z. Salihu
Në emër të Partisë për Veprim Demokratik nga Ju, si kryesues i Kuvendit komunal të Preshevës kam kërkuar, sipas të drejtës që më jep ligji, informacion për arsyen e prezencës së policisë dhe përfaqësuesve të kompanisë private të sigurimit në Seancën e fundit të Kuvendit komunal, duke e cilësuar këtë akt si joligjorë dhe sulm të drejtpërdrejtë në vlerat e demokracisë.
Në vend që, ashtu siç e kërkon rendi dhe ligji, nëse doni edhe tradita, përgjigjen të ma dërgoni në adresën zyrtare të PVD-së, Ju keni zgjedhur rrugën e komunikimit me një subjekt tjetër politik përmes një mediumi privat, për së tepërmi i afërt me qeversijen dhe partnerët tuaj në këtë qeverisje.
Edhe pse JU keni filluar që në këtë mënyrë, përmes portaleve të paguara, ti përgjigjeni kërkesave tona legjitime, unë nuk do të bëj të njëjtën, përgjigjen po ua kthej në faqen e PVD-së, kurrsesi në ndonjë portal.
Më vejn keq që ju them drejtpërdrejtë, por kurrë nuk e kisha menduar që Ju, që po pretendoni të luani rolin e të moderuarit në politikën preshevare, të përzgjedhni metodat e këtilla të komunikimit me oponentët politik që i ngjajnë kohës së TANJUG-ut.
Prezenca dhe ndërhyrja e policisë dhe e sigurimit privat në Seancën e Kuvendit komunal të Preshevës, për mua, dhe gjithë njerëzit që e dojnë të mirën e këtij qyteti, janë shumë më shqetësuese se sa dëshira që nga kjo situatë e papranueshme të tentohet të dilet duke fituar poena të lirë politik, me tendencë që fajin e gjithë asajë që ka ndodhur ta bartni te të tjerët.
Besoj se edhe vetë e dini se ajo situatë shkon përtej politikës dhe përfaqësimit të vullnetit politik të shqiptarëve të Preshevës.
Kultura politike kërkon sinqeritet, transparencë dhe komunikim të drejtë. Të shtrembëruar assesi dhe asnjëherë, sidomos jo nga Ju që pretendoni të jeni i moderuari i politikës preshevare.
Prandaj, sinqeriteti im për komunikim të drejtë, transparent e institucional, i ndërtuar dhe përqëndruar kryekëput në dëshirën për të ruajtur dhe trashëguar kulturën politike nuk nënkupton komunikim nëpërmjet portaleve të sponzorizuara nga pushteti i Preshevës, e kurrsesi në mënyrat e përvetësuara të TANJUG-t, por kërkon komunikim duke marrë barrën secili për pjesën e vet të përgjegjësive.
As unë e as ndonjë këshilltarë i PVD-së në Kuvendin e Preshevës, kurrsesi nuk mund ta kenë të njëjtë me Ju përgjegjësinë për mbarëvajtjen e punës së asamblesë komunale.
Ju jeni kryesuesi, në duart tuaja është rregullorja e cila në mënyrë të përpiktë parasheh mundësitë dhe kompetencat për Ju, për të ndërhyrë, në secilin rast që mund të eskalojë punën e Kuvendit.
Por kjo nuk mund të bëhet në mënyrë selektive, siç pretendoni Ju.
Ju tentoni ta paraqitni jo të plotë ngjarjen.
Pajtohem, Ju keni të drejtë të shqiptoni masa ndaj atyre që pengojnë mbarëvajtjen e punës, por, as këtë nuk mund ta bëni në mënyrë selektive.
Ju po luftoni pasojat, pa patur as guximin e as dëshirën, për të luftuar shkaqet e asaj që solli situatën e palakmueshme në Kuvend, e këto ishin provokimet dhe shpifjet e të parit të komunës tuaj në adresë të subjektit dhe njerëzve tanë.
Prandaj, para se ta shfrytëzoni të drejtën për të dënuar një këshilltarë të opozitës, ju duhet ta shfrytëzoni të drejtën ta dënoni, apo së paku t’i bëni vërejtje edhe nxitësit të kësaj situate, qoftë ky edhe kryetari arrogant i komunës tuaj.
I nderuari z. Salihu, pajtohemi që PVD është parti që dhunën nuk e konsideron për vlerë, por, duhet ta dini se PVD nuk ka ngecur e heshtur as në situatat kur në Luginë të Preshevës kanë qëndruar “ujqër të gjallë”, prandaj, mos kërkoni nga ne që të durojmë fyrjet dhe shpifjet e diktatorit tuaj provincial.
Dëshiroj të vazhdoj të kem besim te Ju se në seancat e radhës nuk do të lejoni eskalime të këtilla të situatës, se duke drejtuar punën e Kuvendit konform dipozitave të Rregullores që vet këshilltarët e Preshevës e kanë aprovuar, do të ndikoni në ndërtimin e raporteve demokratike në Kuvend.
Ju ftoj të pengoni dhe ndërpreni që në gjenezë çfarëdo lloj provokimi apo fyrje që mund të adresohet ndaj dikujt.
PVD në këtë drejtim do të japë kontributin e vet.
Por, nuk keni të drejtë që nga PVD të kërkoni të durojë fyrjet dhe sharjet e askujt.
Nëse mendoni se në ndonjërën nga seanca tuaja duhet pashmangshëm të jenë temë përfaqësuesit e PVD-së, Ju lutem të na ftoni të jemi prezent.
Nuk është as në kulturën demokratike e as atë kombëtare që të përgojosh të tjerët kur nuk janë aty.
Mos e lejoni këtë.
Mos ja lejoni askujt. As diktatorit tuaj provincial.
Tek atëherë do ta fitoni të drejtën të dënoni opozitën dhe të kërkoni ndarje të përgjegjësisë për situatat e krijuara.
Me respekt,
Shaip Kamberi