Daçiç: Serbia krah Turqisë në luftën kundër gylenistëve
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar në Edirne se vendi i tij mbështet luftën e Turqisë kundër organizatës FETO, raporton Anadolu Agency (AA).
“Qëndrimi ynë është i qartë, ekzistonte një shkollë dhe ajo është mbyllur. Marrëdhënia jonë me vendet tjera ka qenë gjithmonë e hapur, e qartë dhe e sinqertë. Një marrëdhënie e tillë vazhdon. Ne jemi krah Turqisë në luftën e saj kundër FETO-s”, tha Daçiç në Edirne, ku sot mori pjesë në hapjen solemne të Konsullatës së nderit të Serbisë.
Duke kujtuar se të dy vendet kanë hequr vizat, kryediplomati serb theksoi rëndësinë e mbajtjes së marrëdhënieve të mira midis Serbisë dhe Turqisë.
“Kemi Marrëveshje të Tregtisë së Lirë, tashmë tetë vite udhëtojmë pa viza. Bashkëpunimi i dy vendeve tona është i rëndësishëm për përfitim të ndërsjellë. Jemi duke punuar në infrastrukturën që e përdor edhe diaspora turke gjatë udhëtimit nga Evropa Perëndimore në Turqi. Jemi të hapur për çdo propozim lidhur me zgjidhjen e të gjitha problemeve me të cilat përballen këta njerëz”, shtoi Daçiç.