Lajme

Kontrabanda e mallrave nga Serbia në veri të Kosovës nuk është ndalur

Kontrabanda me mallra që futen ilegalisht nga Serbia në Kosovë, nuk është zhdukur ende, përkundër një aksioni që ndërmori Policia e Kosovës në maj.

Për këtë Radio Kosova ka siguruar edhe emrat e kontrabanduesve kryesorë në këtë pjesë të vendit. Madje, njëri nga ta flet ekskluzivisht për Radio Kosovën, se si dhe me çfarë intensiteti zhvillohet kontrabandimi i mallrava.

Përkundër aksionit të Policisë së Kosovës më 28 maj kundër kontrabandës në veri, kontrabanda në këtë pjesë të vendit po vazhdon, edhe pse me intensitet shumë të ulët.

Burime të Radio Kosovës thonë se kontrabanda zhvillohet përmes rrugëve ilegale, Sharpel në Leposaviq, dhe Tresava, ndërkaq nga pjesa e Zubin Potokut përmes fshatit Banjë. Kryesisht kamionët qarkullojnë prej orës 8 të mbrëmjes.

Njëri nga kontrabanduesit e rrjeteve në veri në kushte anonimiteti thotë për Radio Kosovën se intensiteti i kontrabandimit me mallra të ndryshme ka rënë dukshëm krahasuar me kohën para aksionit të Policisë së Kosovës, në muajin maj të këtij viti. Sipas tij brenda ditës tani në veri të Kosovës nga Serbia mund të hyjnë ilegalisht rreth 15 automjete me mallra të ndryshme. Ai bën të ditur se dikur me mallra jashtëligjshme qarkullonin miliona euro përmes këtyre rrugëve.

”Tash është me intensitet shumë të vogël, shumë pak punohet. Ne duhet të gjendemi sepse këtu jetojmë, si të mundemi dhe si të dimë, edhe tek ju punohet pak sikurse edhe tek ne. Para aksionit të policisë ishte katastrofale, këtu ishte policia private, sa i përket policisë kufitare me të tjerët nuk kemi pasur problem. Po ashtu sa i përket regjionit të veriut dhe Policisë së Komunikacionit kurrfarë problemesh nuk kemi pasur, njerëzit kanë punuar punën e tyre. Njeriu kryesor ishte Rado Radosavleviq me ekipin e tij dhe po të mos ishte ai nuk do të vinte puna deri këtu”.

Radio Kosova ka siguruar një dokumentacion me emrat e kontrabanduesve që aktualisht veprojnë në veri, e që janë:

Sergjan Vulloviq, që njihet me nofkën Gene, si me i rëndësishmi i rrjetit kontrabandues, njeri i afërt me Millan Radojçiqin.

Darko Daviq i njohur me nofkën Gjavo nga Leposavici, i cili veprimtarinë ilegale me kontrabandë e kryen përmes rrugës Sharpel në Leposaviq.

Aleksander Dimitrijeviq nga Leposaviqi.

Dragan Deniq dhe Radosh Petoroviq po ashtu i afërt i Millan Radojçiqit.

Millan dhe Millojko Radisavljeviq, të cilët njihen si Babudovci dhe të cilët veprojnë në Zubin Potok.

Të gjithë këta, sipas burimeve, rezultojnë të jenë të lidhur me policinë në veri, meqë komandanti i ndërrimit, policinë kufitare e vendos në pikat ku nuk do të kalojë kontrabanda e radhës.

Kontrabanda zhvillohet kryesisht në Tresava ( ku nuk ka patrulla) dhe Sharpel të Leposaviqit.

Ndërsa kah pjesa e Zubin Potokut nëpërmjet fshatit Banje. Prej rrugëve ilegale të pjesës veriore një pjesë e këtyre mallrave hyjnë në jug të Mitrovicës si në Cerajë, Bistricë, Çabër për t’u shpërndarë në tërë territorin e vendit.

Në një nga vëzhgimet e këtij territori janë kundruar 7 lokacione me risk të lartë, të cilat gjenden në veriun e Kosovës dhe ndërlidhen me kontrabandën e mallrave. Lokacionet janë sikur në këtë hartë.

Në Lokacionin, në qytetin Zubin Potok, në rrugën “Kolasinski Knezava” dyshohet se personi Dragosllav Igrutinoviq, i lindur në Zubin Potok, i deponon pijet e kontrabanduara dhe i strehon përkohësisht gjedhet e gjalla, po ashtu të kontrabanduara. Në këtë lokacion, Dragosllav Igrutinoviq i ka të parkuara automjetet (kamionët) të cilët i shfrytëzon për kontrabandim. Gjatë vëzhgimit, përveç shtëpisë së Dragosllavit është identifikuar edhe një shtëpi tjetër në të cilën janë vërejtur disa automjete (kamionë), të cilët shfrytëzohen për kontrabandim të gjedheve të gjalla dhe pijeve. Të njëjtat automjete (kamionë) përdoren nga Dragosllavi dhe bashkëpunëtorë e tij.

Aksioni i Policisë së Kosovës në muajin maj të këtij viti rezultoi të jetë mjaft i suksesshëm, me ç’rast një pjesë e madhe e kontrabanduesve dhe grupeve të tyre u shpartallua nga policia, u arrestuan 24 persona , ndër ta edhe 6 shqiptarë dhe një rus.