OpinioneShqipëri

Përgjimet, Lubonja: Rama është kapur me presh në dorë

Analisti dhe opinionisti, Fatos Lubonja i pranishëm në studion e rubrikës “Opinion” në News 24 analizoi përgjimet e fundit, të cilat u publikuan sot nga gazeta gjermane “Bild”, ku shfaqeshin funksionarë të maxhorancës si dhe kryeministri Edi Rama duke biseduar për zgjedhjet në Dibër.

Sipas Lubonjës, përgjimet e publikuara tregojnë se këtu është kapur sistemi i drejtësisë dhe vota e shqiptarëve është blerë masivisht. Ai tha se Policia e Shtetit është bërë pjesë e fushatës për të blerë zgjedhjet, ndërsa kjo tha ai, u konfirmua nga përgjimet e publikuara sot nga gazeta gjermane.

Analisti Fatos Lubonja përgjimet e gazetës gjermane i cilësoi si “bomba” dhe njëherësh prova të mjaftueshme, që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie teknike. Ajo që është e paqartë shtoi Lubonja, është fakti se palët politike nuk po shkojnë drejt dialogut, por drejt një përplasjeje të rrezikshme për vendin.

“Është vërtetimi i asaj, që këtu kemi një shtet të kapur nga një parti bandë. Edhe vota është e kapur. Policia e Shtetit tani është e organizuar, na del se një drejtor na organizon shantazhimin, daljen, grumbullimin e njerëzve. Në këto kushte thelbi është se çfarë duhet bërë”-tha ai.

Sa tronditet qeveria realisht nga këto përgjime?

Lubonja: Qeveria nuk tronditet fare, në ckuptim? Në kuptimin që këta e kanë ndarë mendjen: ne jemi një bandë. Kjo është banda më e fortë, kemi kapur drejtësinë, kemi edhe ca amerikanë me vetë dhe do të eliminojmë kundërshtarët tanë. Është fatkeqësi e madhe. E them në formë ironike. Këtu u fol për reformën në drejtësi, këtu shikoni se çfarë ndodh dhe u bëjnë shantazh. Ata kanë nisur hetim për armiqtë e popullit.

Pashë një deklaratë të Ramës. Është kapur me presh në dorë. Këto janë bomba. Këta nuk kanë ndërmend të bëjnë dialog. Kjo është kalimi në mjete të tjera politike, ku do na çojnë në luftë apo në diktaturë. Padyshim e lexova. Këtu nuk ka pikë dyshimi më që prokurori është e kapur. Tani është e kapur plotësisht dhe po vepron si segment i partisë-shtet. Drejtësia më e keqe është drejtësia selektive.

Mendoj që në vazhdën e asaj që thashë më parë: Ky është një rezultat logjik. Rama e ka futur në Presidencë, që Meta të rrinte urtë. Më mirë ta heqë. Të zhvishet gjithçka dhe të marrë të gjithë përgjegjësitë.

Mund të shkojë drejt dorëheqjes?

Lubonja: Ajo që shoh me shqetësim është se nuk po ka alternativë për dialog, por po shkojmë drejt një ndeshjeje me mjete të tjera. Kuvendi është i shpërndarë. A ka ndonjë peshë? Ai tani s’është asgjë.

Protesta e opozitës

Lubonja: E paparashikueshëm është situata. Nuk e di se çfarë do të ishte më e mira në këto momente. Nëse këto përgjime do të merreshin seriozisht janë të mjaftueshme për të dhënë kryeministri dorëheqjen dhe të pastrohen institucionet dhe drejtësia. Ajo që ne jemi të aftë të bëjmë është që të eliminojmë tjetrin. Populli shqiptar nuk është i pjekur. Kjo që po ndodh është shumë e tmerrshme dhe shumë e turpshme.