Bota

Ish-presidenti egjiptian, Mohamed Morsi, ndërron jetë gjatë seancës gjyqësore

67-vjeçari Morsi humbi vetëdijen dhe ndërroi jetë në seancën gjyqësore ku ai u përball me një mori akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos në grusht shtetin ushtarak në vitin 2013

Presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në rrugë demokratike, Mohamed Morsi, ka ndërruar jetë gjatë një seance gjyqësore, raporton Anadolu Agency (AA).

67-vjeçari Morsi humbi vetëdijen dhe ndërroi jetë në seancën gjyqësore ku ai u përball me një mori akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos në grusht shtetin ushtarak në vitin 2013.

Ish-presidenti Morsi u largua nga detyra përmes një puçi ushtarak në vitin 2013, nga ministri i atërhershëm i Mbrojtjes dhe më pas president i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi.

Morsi mbahej në izolim pavarësisht nga fakti se ai ka shprehur shqetësime në lidhje me shëndetin e tij. Ai nuk mund të merrte pjesë në shumicën e seancave në gjyqin e tij të nisur pak pasi u rrëzua nga grusht shteti i përgjakshëm në vitin 2013.

“Gjendja ime shëndetësore është bërë serioze dhe po përkeqësohet nga dita në ditë”, pati thënë Morsi më parë, i cili theksoi se nuk do të hiqte dorë nga kërkimi i trajtimit mjekësor, duke deklaruar se kishte rënë dy herë në komë diabetike sepse nuk mund të hante ushqimin e burgut.

Duke iu përgjigjur kërkesave të ish-presidentit, gjyqtari theksoi se kërkesa për ekzaminim mjekësor duhej të nënshkruhej nga mjekët e burgut, një vendim që u refuzua, ndërkohë që autoritet egjiptiane thonin se Morsi po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në burg.

Morsi u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera për Morsin.

Morsi, i cili shërbeu si president i Egjiptit nga qershori i vitit 2012 deri në korrik të vitit 2013, lindi më 20 gusht të vitit 1951 në Al Idwah të Egjiptit.