Lajme

20 vjet pas krimeve mizore, fare pak serbë të dënuar

Disa nga masakrat më të mëdha në Kosovë kanë ndodhur pikërisht pas nisjes së bombardimeve të NATO-së në mars të vitit 1999.

Terrorizimi i civilëve u shtua nga 25 marsi, një ditë pasi Aleanca Veri-atlantike intervenoi ushtarakisht ndaj forcave serbe të Sllobodan Millosheviqit, raporton KTV.

Masakrat në Suharekë, Krushë e Gjakovë janë vetëm disa prej tyre ku qindra civilë u vranë nga ushtria serbe.

Por, për këto krime mizore të forcave serbe ka pasur pak dënime e gjykime, veçanërisht në Serbi.

Deri tash, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 60 serbë janë dënuar për krimet e luftës në Kosovë.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë kohës së luftës, janë vrarë 13 mijë e 535 persona, ndërsa të pagjetur janë edhe 1 mijë e 640 persona.

Vetëm shoqata “Thirrjet e Nënave” ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale, qindra materiale për personat e përfshirë në krime në Kosovë dhe ndaj shumë prej tyre ka bërë edhe kallëzime penale.

Në Prokurorinë e Shtetit kanë konfirmuar se këto materiale janë duke u shqyrtuar dhe hetuar.

“Kjo prokurori është duke zhvilluar hetime edhe në raste të tjera të shumta për krime të luftës, të trashëguara nga EULEX-i, si dhe sipas kallëzimeve penale të pranuara pas transferimit të kompetencave te prokuroria vendore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.