E thotë Gjykata: Milaim Zeka do të gjykohet për rastin e mashtrimit me viza
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA’së, Milaim Zeka, bashkë me Ilir Krasniqin e Edmond Kërliun, do të gjykohen edhe zyrtarisht për mashtrim me viza, bën të ditur Gjykata e Apelit
Ndaj deputetit Zeka ka mbetur në fuqi vendimi i Gjykatës së Apelit, aktakuza parasheh mashtrim, pastrim parash dhe shmangie në tatim, duke refuzuar kështu ankesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
“Me këtë, gjykata ka lenë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 26.12.2018, e rrjedhimisht edhe aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të datës 28.08.2018. Sipas kësaj aktakuza I.K. dhe M.Z. akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 335, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale “ Shmangie nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 3, lidhur me nenin 31 të të njëjtit kod. Po ashtu, këta dy së bashku më të akuzuarin E.K, akuzohen edhe për veprat penale: “Pastrim i parave “ nga neni 308 i KPRK-së dhe neni 56 i Ligjit 05L-096, lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër të pandehurve Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, për veprat penale mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.