Mustafa e Veseli shprehin ngushëllime për vdekjen e 26 vjeçarit, kërkojnë hetim
Udhëheqësit e subjekteve politike në vend kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë thirrje që organet e drejtësisë të punojnë në zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tij.
“Jam trishtuar nga vdekja tragjike e të riut 26 vjeçar nga Gjilani. Lajmi për humbjen e tij na tronditi të gjithëve. Në këto momente të dhimbshme, më lejoni që në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tragjike të gjithë familjarëve dhe miqve të tij. Gjithashtu iu bëj thirrje, të gjitha organeve të punojnë në drejtim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të kësaj vdekje tragjike”, ka shkruar ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur ngushëllime për familjen e të riut 26 vjeçar nga Gjilani që vdiq sot në karantinën e qendrës së studentëve.
Ai ka thënë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit, andaj sipas tij, është e domosdoshme që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimet.
“Ndarja nga jeta në karantinën e Qendrës Studentore, e djaloshit 26 vjeçar nga Gjilani, është shumë e dhimbshme. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve. Humbja tragjike e jetës së këtij të riu është një akt i rëndë dhe që mbart përgjegjësi shtetërore, duke qenë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit. Andaj, është e domosdoshme që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimet”, ka shkruar ai.