Java e gjashtë e protestave kundër presidentit serb
Mijëra veta morën pjesë në protestat e së shtunës në Beograd kundër presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Partisë Përparimtare serbe të drejtuar prej tij, duke kërkuar liri të medies, që t’u jepet fund sulmeve ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës por edhe sic u tha, të mos ketë marrëveshje të fshehtë për Kosovën.
Protestuesit parakaluan nëpër Beograd duke brohoritur “Vuçiç hajdut” në parakalimin me sloganin “Një nga pesë milionë”, që filloi gjashtë javë më parë me moton “stop këmishëve të përgjakura”, kur ndodhi një sulm mbi Borislav Strefanoviçin, udhëheqës i partisë së vogël E Majta serbe.
Ai ishte sulmuar nga një grup burrash me maska të zeza më 23 nëntor në Krushevc, një qytet në jug të Serbisë dhe kishte pësuar plagë të lehta.
Protesta e së shtunës ndodhi vetëm pak ditë para vizitës së planifikuar për të enjten të presidentit rus Vladimir Putin në Serbi.
Vizita e presidentit rus shihet si një shtysë për popullaritetin e presidentit serb dhe mbështetësit e tij kanë planifikuar një tubim të madh për të enjten në pritje të presidentit rus.
Aleksndër Vuçiç, një nacionalist i zjarrtë gjatë shkatërrimit të dhunshëm të ish-Jugosllavisë në vitet e 90-ta, më vonë përqafoi vlerat evropiane dhe vendosi anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian si qëllimin strategjik të vendit. Por, ai mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe vendi i por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.
Një pjesë e madhe e serbëve vlerësojnë qëndrimin kundërshtues të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës që u shpall dhjetë vjet më parë më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimi Evropian.
Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.
Protestuesit e akuzuan të shtunën presidentin serb se po përgatitët për një marrëveshje të negociuar me Kosovën.
Në muajin dhjetor, presidenti serb tha se nuk do të përmbushë kërkesat e opozitës edhe nëse “dalin 5 milionë në rrugë”, por më pas ai tha se është i gatshëm të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Partitë opozitare thanë se do të bojkotonin zgjedhjet e tilla.
Mbështetja për presidentin Vuçiç ka shënuar një rënie të vogël pas fitores së tij të thellë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por ai mbetet udhëheqësi politik më popullor dhe koalicioni i tij në pushtet ka një shumicë të qëndrueshme prej 160 deputetësh në parlamentin me 250 vende.