Më 6 qershor, kryeministrin Haradinaj e pret në takim Angela Merkel në Berlin
I pari i qeverisë së Kosovës do të pritet në Berlin nga homologia gjermane. Një takim të këtillë në Gjermani e kishte realizuar edhe kryeministri Isa Mustafa, por asnjëherë Hashim Thaçi
Shumëkush ka menduar që samiti në Berlin kishte kaluar në tensione të larta në mes të Kryeministrit të Kosovës dhe dy liderëve evropianë, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. Presioni që ata kishin ushtruar mbi Haradinajn për taksën, thuhet, që kishte qënë i madh. Mirëpo, kur nuk ka kaluar ende as një muaj nga ai takim kryeministri Ramush Haradinaj e ka marrë një ftesë për ta takuar kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
“Është një takim që do të zhvillohet në Berlin”, ka treguar burimi i Gazetës Express.
Haradinaj, pas samitit në Berlin, e kishte takuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme të këtij shteti, i cili i kishte premtuar Haradinajt që Gjermania do ta mbështes liberalizimin e vizave për Kosovën. Për vizat, por edhe për një marrëveshje me Serbinë, do të diskutohet edhe në takimin e 6 qershorit.
Raporti i Haradinajt me Gjermaninë është krejtësisht ndryshe prej raporteve që më shtetin më të fortë në Evropë e kanë presidenti Thaçi dhe kryekuvendari Kadri Veseli. Thaci edhe pse ka qenë kryeministër për shumë vite, e tash President, asnjëherë nuk është pritur në Gjermani nga Merkel. Thaçi e ka takuar zonjën Merkel vetëm kur kjo e fundit ka qënë në samite të ndryshme, ose kur ajo i ka pritur të gjithë liderët e rajonit.
Raportet e Thaçit dhe Veselit me Gjermaninë kanë qenë historikisht negative. Shërbimet sekrete Gjermane kanë publikuar të dhëna se si krerët e PDK’së janë pjesë e skemave kriminale. Në shenjë hakmarrje të këtyre raporteve Thaçi kur ishte zgjedhur kryeministër e kishte urdhëruar policinë e Kosovës që t’i arrestonte dy punëtorë të shërbimit sekret gjerman, BND. Për më tepër, për ta çuar hakmarrjen deri në fund, Thaçi i kishte dërguar edhe kamerat e disa mediave që t’i filmonin dy agjentët kur ata po shfaqeshin në gjykatë. Një episod i tillë e ka futur Thaçin në listë të zezë të Gjermanisë.