Opinione

Shkrimtari dhe dramaturgu serb: Nëse Vuçiq e nënshkruan njohjen e Kosovës, serbët do ta pranojnë shumë shpejtë atë

Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur serb, Filip David, ka thënë se konfuzioni i krijuar në shoqërinë serbe është pasojë e presionit shkaku i Kosovës, duke thënë se zgjidhja e vetme është njohja e Kosovës, sepse një konflikt i ngrirë do të mund të prodhonte një konflikt të ri të armatosur.

David, në një intervistë për “FoNet”, ka thënë se politika e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk çon askund.

Sipas tij, në politikën e Vuçiqit sheh shumë hipokrizi.

David thotë se “tërë konfuzioni në shoqërinë serbe është si pasojë e presioneve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e cila është mbi të gjitha çështjet në Ballkan”.

Ai është i bindur se pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka as stabilitet të brendshëm në Serbi, as në këtë pjesë të Ballkanit, përcjell Telegrafi.

“Njohja e Kosovës duhet të ndodhë sa më shpejt, me një marrëveshje për mbrojtjen e pakicës serbe dhe trashëgimisë kulturore dhe fetare. Në të kundërtën ekziston rreziku i një konflikti të hapur, gjithnjë derisa Kosova të jetë një projekt i ngrirë”, tha ai

“Ne e dimë se fuqitë e mëdha janë ato që do të përfshiheshin në konflikt, e ky është rrezik jo vetëm për Evropën, por edhe për tërë botën”, tha David.

Ai tha se Serbia edhe në të kaluarën ka refuzuar të pranojë zgjidhjet e ofruara, relativisht të përshtatshme, dhe vlerëson se me kalimin e kohës “gjërat do të bëhen edhe më të vështira”.

David parashikon se shqiptarët do të paraqesin kushte të reja, krahas taksës dhe rezolutës për gjenocid ose kërkesës për bashkimin e Luginës së Preshevës.

Duke pasur parasysh situatën mediale, ai thotë se “në qoftë se Vuçiqi e nënshkruan njohjen e Kosovës, me një fushatë mediale prej pesë ditësh për gjestin e tij heroik, të cilin askush gjatë historisë nuk kishte guxim as gatishmëri ta bëjë, shumica e serbëve do ta pranonin këtë si diçka pozitive”.