Kafeja “antiplumb” e zëvendëson kafjallin, heq peshën dhe jep energji
Kafja “bulletproof” apo “antiplumb” është një nga më të njohurat në botë. Bëhet fjalë për pijen e cila do t’ju zgjojë dhe e cila do ta zëvendësojë kafjallin, do t’ju japë energji gjatë gjithë ditës dhe do t’ju ndihmojë t’i largoni kilogramët e tepërt.
Recetën më të kërkuar për këtë pije e ka shpikur David Asprey, amerikani i cili me ndihmën e kafesë “bulletproof” arriti t’i humbiste 40 kilogramë. Atij i lindi ideja për këtë pije në vitin 2004 gjatë udhëtimit në Tibet. Asprey kishte simptoma të sëmundjes së lartësisë, dhe ndjeu lehtësim pasi e provoi çajin e tyre tradicional me shtimin e gjalpit. Kjo e motivoi atë që ta përshtatë pijen me stilin e tij të jetesës, shkruan sot Koha Ditore.
Për ta përgatitur kafenë “bulletproof” ju nevojitet një kafe e zakonshme në të cilën do t’i shtoni 1-2 lugë gjalpë të pakripur dhe 1-2 lugë të vajit të kokosit. Përziejeni atë me mikser me shkop ose blendojeni derisa ta fitoni strukturën e shkumëzuar dhe shijojeni këtë pije “magjike”.
Meqë është e pasur me energji, kjo pije do ta mbajë trupin tuaj aktivë me orë të tëra, ndërsa përqendrimet e larta të kafeinës do ta rrisin koncentrimin dhe produktivitetin. Thuhet se shprehia e konsumimit të kësaj kafeje është një nga sekretet e shumë yjeve hollivudiane.