Përfaqësuesit politik të Luginës mikpritën kongresmenët amerikan në Preshevë
Kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam kanë zhvilluar sot një vizitë në Preshevë, ku u pritën në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar nga kryetari Enkel Rexhepi, deputeti Shaip Kamberi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Gjatë takimit u diskutua për problemet me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, mungesën e përfaqësimit në institucionet shtetërore, mungesën e investimeve dhe stagnimin ekonomik të komunave me shumicë shqiptare.
Kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, theksoi se moszbatimi i Planit 7 Pikësh dhe Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, si dhe mosfunksionalizimi i pikëkalimit kufitar Miratoc–Llojan, dëshmojnë qasjen diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginë.
Në takim mori pjesë edhe Teuta Fazliu, e cila prezantoi para kongresmenëve rastin e pasivizimit të adresës së saj, çështje kjo që është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Strasburgut.
Rexhepi vlerësoi gjithashtu rëndësinë e projektligjit të propozuar nga kongresmeni Keith Self, duke theksuar se ai gëzon mbështetje bipartizane në SHBA dhe konsiderohet si një mekanizëm i rëndësishëm për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në fund, ai falënderoi kongresmenët amerikanë për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke nënvizuar se shqiptarët e Luginës mbeten ndër komunitetet më proamerikane në rajon
