Të fundit

Ardita Sinani, Ragmi Mustafa e Enkel Rexhepi urojnë Kurtin për fitoren e zgjedhjeve parlamentare

Kryetarja e komunës Preshevës, Ardita Sinani uroi kryeministrin Albin Kurti për fitoren e madhe në zgjedhjet parlamentare. 

“Një Kosovë stabile dhe me institucione që vet qytetarët e saj përmes votës kanë zgjedhur, në këtë periudhë shumë të ndieshme është shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët në Ballkan, e sidomos për shqiptarët në Luginë të Preshevës” – ka shkruar Sinani.

Urimit të Sinanit iu është bashkangjitur edhe zv.kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa. Përmes një postimi në profilin e tij zyrtarë në rrjetin Facebook, Mustafa deklaroi se ai shpreson që vëmendja institucionale ndaj shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit të jetë edhe më e shtuar në të ardhmen.

Po ashtu Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin e uroi edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi. 

“Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ky standard demokratik dhe kjo qasje institucionale përbëjnë një burim shprese dhe referencë të qartë për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe individuale. Presim që në mandatin e ri qeverisës, vëmendja dhe angazhimi institucional i Qeverisë së Kosovës ndaj çështjes së shqiptarëve në Luginë të vazhdojë dhe të forcohet më tej, në funksion të avancimit të të drejtave të shqiptarëve, zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së identitetit kombëtar”- ka shkruar Rexhepi në postimin e tij në Facebook.