Gazeta serbe: Nëse s’ka marrëveshje Kosovë– Serbi, do të bëhet Shqipëria e Madhe
Gazeta serbe “Danas”, ka shkruar se nëse nuk gjendet një zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë deri në fund të vitit, mund të ndodh “bashkimi i qetë”, i Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas asaj që shkruhet në gazetën serbe, ata i referohen disa burimeve të tyre që kanë komentuar mbi njoftimin e Ministrit të Jashtëm shqiptar se Shqipëria dhe Kosova do të kenë përfaqësues diplomatikë të përbashkët.
“Zyrtarët nga Kosova dhe Shqipëria janë të pakënaqur me sjelljen e Brukselit për disa muaj dhe dyshojnë se ata do të hyjnë në BE ndonjëherë”, thonë burimet diplomatike për Danasin serb.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e fshehin se duan integrim më të madh të Kosovës dhe Shqipërisë dhe retorika për Shqipërinë e Madhe shpesh ringjallet”, kanë thënë këto burime për Danas.
Siç shkruan e përditshmja serbe, përfaqësues diplomatikë të ndryshëm e interpretojnë mesazhin e fundit të ministrit shqiptar si “përgjigja e drejtpërdrejtë e Tiranës zyrtare ndaj ofensivës diplomatike të autoriteteve serbe”.