Kryesore

Letërnjoftimet falas në rast të ndryshimit të emrave të rrugëve apo numrave të shtëpive

Nënshkruhet marrëveshja për lëshimin e dokumenteve personale me mbulimin e kostove nga buxheti

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, dhe ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, nënshkruan sot një Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale.

Me këtë marrëveshje sigurohet vazhdimi i aktiviteteve për lëshimin e letërnjoftimeve me mikroçip, si dhe letërnjoftimeve të përhershme për qytetarët të cilëve u lëshohet dokumenti në rastet e vendosjes së emrave të rinj të rrugëve dhe numrave të shtëpive, ose ndryshimit të atyre ekzistuese, në kuadër të projektit kombëtar për përditësimin e Regjistrit të Adresave.

Fondet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, në vlerë prej pesë milionë dinarësh, janë siguruar nga buxheti i Republikës së Serbisë, përmes Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje vazhdohet bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet institucioneve përkatëse, në realizimin e aktiviteteve që synojnë rritjen e efikasitetit të administratës publike dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, sidomos në përmirësimin e saktësisë dhe azhurnimit të të dhënave në Regjistrin e Adresave të Republikës së Serbisë.

Falë marrëveshjeve të tilla ndërinstitucionale, Republika e Serbisë po vazhdon të përmirësojë sistemin e menaxhimit të të dhënave dhe të ndërtojë një administratë publike moderne, të besueshme dhe të ndërlidhur, në shërbim të qytetarëve, thuhet në njoftimit e Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale