Vizitë bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës “Mehmet Jusufi” dhe Bibliotekës Nacionale “Koço Racin” në Tetovë
Më datë 21 tetor 2025, stafi i Bibliotekës “Mehmet Jusufi” realizoi një vizitë zyrtare në Bibliotekën Nacionale “Koço Racin” në Tetovë.
Kjo vizitë vjen si rezultat i ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me synimin për të shkëmbyer përvoja, ide dhe praktika të mira në fushën e bibliotekarisë dhe shërbimeve për lexuesit.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dyja bibliotekave zhvilluan një shëtitje në ambientet e Bibliotekës Nacionale, duke u njohur nga afër me organizimin e brendshëm, fondin libror, teknologjinë në shërbim të lexuesve, si dhe iniciativat e ndryshme kulturore e edukative që ajo ofron.
U zhvilluan diskutime të frytshme rreth mënyrave për të avancuar bashkëpunimin institucional përmes aktiviteteve të përbashkëta, ekspozitave, promovimeve të librave dhe projekteve që synojnë promovimin e leximit, sidomos tek të rinjtë.

Në shenjë falënderimi dhe respekti për pritjen e ngrohtë, drejtoresha e Bibliotekës “Mehmet Jusufi”, znj. Albina Azizi, i dhuroi drejtorit të Bibliotekës Nacionale “Koço Racin”, z. Binas Pajaziti, një fotografi artistike të qytetit të Preshevës, si simbol të miqësisë dhe bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy institucioneve.
Takime të tilla janë të një rëndësie të veçantë, pasi ato jo vetëm që forcojnë lidhjet ndërinstitucionale, por edhe kontribuojnë në zhvillimin profesional të stafit dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve për komunitetin lexues.