Mustafi: Proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve në Luginë janë kthyer në teatër politik
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se seanca gjyqësore ndaj tij në Gjykatën Ekonomike të Leskocit është shtyrë për shkak të, siç thotë ai, “dy gabimeve jo të rastësishme” në aktakuzë.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Mustafi ka sqaruar se në dokumentet zyrtare ai ishte paraqitur ende si kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, megjithëse mandatin e ka përfunduar në dhjetor të vitit 2022, si dhe ishte ngatërruar me një tjetër person – Ragmi Mustafan, zëvendëskryetar i Komunës së Preshevës dhe kryetar i PDSH-së.
“Sot, në Gjykatën Ekonomike të Leskocit, seanca ndaj meje u shty pasi në aktakuzë ishin bërë dy ‘gabime’ që nuk mund të jenë rastësore,” ka shkruar Mustafi, duke shtuar se proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve në Luginë “janë më shumë akte politike sesa ligjore – të drejtuara jo për të zbatuar ligjin, por për të prodhuar frikë”.
Ai ka theksuar se kjo është hera e pestë që përballet me gjykatat pas përfundimit të mandatit të tij, duke përfshirë tre herë në Leskoc, një herë në Vranjë dhe një herë në Vladiçki Han.
Në reagimin e tij, Mustafi ka vlerësuar se veprimet ndaj tij janë pjesë e një skeme të koordinuar politike, duke përmendur edhe raste të presioneve ndaj familjes së tij, përfshirë pasivizimin e adresës së bashkëshortes dhe djalit të tij të madh.
“Kur nuk arrijnë të të ndëshkojnë për mendimin tënd, të ndëshkojnë për ekzistencën tënde. Kur nuk mund të të heshtin, përpiqen të të fshijnë,” ka shkruar ai, duke shtuar se kjo përbën “fytyrën e vërtetë të sistemit që pretendon të flasë për sundimin e ligjit”.
Në fund të reagimit, Mustafi ka deklaruar se do të vazhdojë të flasë dhe të qëndrojë kundër padrejtësive:
“Unë nuk kam frikë nga drejtësia. Por pushteti që frikësohet nga një fjalë apo nga një familje nuk është i fortë – është i brishtë. Prandaj do të vazhdoj të flas, sepse heshtja do të ishte fitorja e tyre.”/luginalajm