Lajme

Dimal Basha zgjedhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Pas shtatë muajsh nga zgjedhjet parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryeparlamentarin e ri. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, mori 73 vota pro, duke siguruar postin e kryetarit të Kuvendit. Për zgjedhjen e tij votuan edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në fjalimin e tij të parë, Basha tha se ndjen përgjegjësi të madhe për këtë detyrë dhe theksoi se Republika e Kosovës është ndërtuar mbi sakrifica. Ai falënderoi gratë e Kosovës për kontributin e tyre dhe vlerësoi ndihmën e shteteve mike, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ky Kuvend është përballur me një sfidë të paprecedentë, por kjo ka shërbyer si një shkollë për demokracinë dhe emancipimin e shoqërisë,” u shpreh ai.

Basha bëri thirrje për bashkëpunim mes partive politike, duke theksuar se qytetarët presin unitet në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e integritetit territorial.

Ai vlerësoi punën e institucioneve në veri, ku sipas tij është minimizuar krimi, ndërsa i bëri thirrje Serbisë të sillet në mënyrë demokratike.