Kryetarja e Komunës, Ardita Sinani, në Panairin e Librit “Valë dhe Fjalë” në Lezhë
Me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së Lezhës, z. Pjerin Ndreu, Kryetarja e Komunës Ardita Sinani mori pjesë në Panairin e Librit “Valë dhe Fjalë”.
Ky edicion i panairit, i cili iu kushtua letërsisë shqiptare të viteve ’70-’80, solli në kujtesë periudhën kur shkrimtarët, përballë censurës e kufizimeve, gjetën mënyra artistike për ta thyer heshtjen dhe për ta mbajtur gjallë fjalën e lirë. Fjala, edhe në kohë të vështira, mbeti ura që lidh brezat dhe forcon identitetin kulturor të shqiptarëve.
Në këtë aktivitet morën pjesë autorë e krijues të shquar nga të gjitha trevat shqipfolëse, mes tyre Besnik Mustafaj, Pëllumb Kulla, Rudolf Marku, Liridon Mulaj, Preç Zogaj, Sokol Guga e shumë të tjerë. Të pranishëm ishin gjithashtu deputetë nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë si dhe deputetja znj. Shqipe Selimi nga Parlamenti i Republikës së Kosovës.