Kryesore

Pika kufitare në Preshevë do të ketë 23 korsi

Pika kufitare në Preshevë do t’i nënshtrohet një projekti të madh zgjerimi me qëllim lehtësimin e fluksit të automjeteve dhe uljen e kohës së pritjes, parashikon Plani Hapësinor i zonës me rëndësi të veçantë, i cili aktualisht është në shqyrtim të hershëm publik deri më 30 korrik.

Sipas dokumentit të publikuar nga Agjencia për Planifikim Hapësinor dhe Urbanizëm, projekti përfshin zgjerimin e zonës së kalimit kufitar në një sipërfaqe prej afër 17 hektarësh. Numri i korsive do të rritet në 23, përfshirë korsi të veçanta për automjete të udhëtarëve dhe ato të transportit të mallrave.

“Zgjerimi i pikës kufitare është një nevojë objektive, sidomos gjatë sezonit të pushimeve dhe festave, kur pritjet shumëfishohen”, thuhet në planin e zhvillimit. Në drejtimin nga Maqedonia e Veriut drejt Serbisë, do të hapen **katër korsi të dedikuara për automjetet e rënda**, të ndara fizikisht nga trafiku tjetër, me qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe ndarjen funksionale të fluksit.

Përveç korsive shtesë, plani përfshin edhe ndërtimin dhe rikonstruktimin e terminaleve doganorë për udhëtarë dhe për mallra, si dhe vendosjen e **”gardheve mobile”**, që do të mundësojnë përshtatje të përkohshme të kapaciteteve në varësi të nevojave.

Gjithashtu, do të bëhet **zhvendosja e disa objekteve ekzistuese**, përfshirë ndërtesën kryesore, hapësirat për kontrollin e automjeteve, tualetet, zyrën postare dhe ndërtesën e telekomit.

Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në përmirësimin e përvojës së udhëtarëve dhe të rrjedhshmërisë së trafikut, veçanërisht për qytetarët nga Lugina e Preshevës dhe diaspora që kalojnë shpesh në këtë pikë kufitare.