Lajme

Nga sot është rritur çmimi i autostradave në Serbi

Në Serbi, që nga sot kanë hyrë në fuqi çmime të reja dhe më të larta të taksave për përdorimin e autostradave, të cilat janë rritur mesatarisht për 4,3 për qind për kilometër të kaluar, në përputhje me njoftimin e Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës.

Sipas çmimeve të reja, udhëtimi me autostradë nga Beogradi deri në Nish kushton tani 1.170 dinarë, deri në Novi Sad 325 dinarë, deri në Suboticë 835 dinarë, ndërsa deri në Shid 520 dinarë. Për relacionin më të gjatë – nga Beogradi deri në Preshevë – taksa arrin në 1.970 dinarë.

Siç është publikuar në Gazetën Zyrtare, nga data 10 korrik do të fillojë edhe pagesa për segmentet e reja të autostradës Beograd – Pozhega, konkretisht në stacionet e pagesës Luçani dhe Prillipac.

Vendimi për çmimet e reja është rezultat i përshtatjes me indeksin vjetor të çmimeve të konsumit dhe rritjes së çmimeve me pakicë. Pagesa e taksës në Serbi bëhet nga Ndërmarrja Publike “Putevi Srbije”.

Gjithsej 905,2 kilometra të autostradave janë të përfshira në sistemin e pagesës, me gjithsej 72 stacione aktive të pagesës. Shuma e taksës varet nga tre faktorë bazë – gjatësia e segmentit të përshkuar, kategoria e automjetit dhe çmimi bazë për kilometër.

Sistemi i pagesës përfshin segmentet e autostradave: Beograd–Shabac–Shid, Beograd–Suboticë, Beograd–Vrnjaçka Banjë–Preshevë–Dimitrovgrad dhe Beograd–Pozhega.