Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Enkel Rexhepi, është pritur sot në takim nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai
“Sot pata nderin të mirëpritem nga Arben Fetai, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut,” – ka shkruar Rexhepi pas takimit.
“Diskutuam hapur për sfidat që po përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, me theks të veçantë pasivizimi i adresave dhe pamundësia për nostrifikimin e diplomave nga Republika e Kosovës, si një pengesë serioze për punësim dhe avancim profesional të të rinjve tanë,” – theksoi Rexhepi.
Ai ka veçuar edhe rëndësinë e ngritjes së institucioneve kulturore shqiptare në Luginë: “Temë e rëndësishme e diskutimit ishte nevoja për krijimin e institucioneve kulturore shqiptare në Luginë, për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar, duke marrë shembull nga përvojat pozitive të Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim.”
Rexhepi falënderoi Fetain për mbështetjen e treguar dhe gatishmërinë për të qenë pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës: “Faleminderit Arben Fetai për gatishmërinë e tij për të qëndruar pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe për të adresuar çështjet e sfidat me të cilat vazhdojmë të përballemi,” ka theksuar Rexhepi.