Të fundit

Universiteti i Elbasanit vizitë në selinë e KKSh-së

“Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit, me synim forcimin e lidhjeve akademike dhe mbështetjen e rinisë sonë në arsimim cilësor dhe të qëndrueshëm,” – tha Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), pas takimit me përfaqësuesit e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.

Përfaqësues të Universitetit të Elbasanit, në bashkëpunim me KKSH-në, realizuan sot vizita në tri shkolla të arsimit të mesëm në Luginë:

Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë, Shkollën e Mesme Teknike “Presheva” në Preshevë dhe Shkollën e Mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc.

Gjatë vizitave, matuarantët u njohën nga afër me mundësitë që ofron Universiteti i Elbasanit, programet e studimit, procedurat e aplikimit, si dhe mbështetjen potenciale financiare për studentët nga Lugina.

Ky projekt i bashkëpunimit ndërinstitucional po konsolidohet edhe më tej me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd, e cila po luan një rol kyç në ndërlidhjen e shkollave të Luginës me universitetet shqiptare.