Të fundit

Kryetari i KKSh-së, Enkel Rexhepi, takim me Ministrin Igli Hasani: Shqipëria ka rol të pazëvendësueshëm për shqiptarët e Luginës

Tiranë, 8 qershor 2025 – Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KNSH), z. Enkel Rexhepi, zhvilloi sot një takim të frytshëm me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Igli Hasani, me të cilin diskutoi mbi çështje thelbësore që prekin shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Në njoftimin e publikuar pas takimit, Rexhepi thekson se bashkëbisedimi u fokusua në rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm institucional ndërmjet Tiranës zyrtare dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar.

“U dakorduam se është mëse e rëndësishme një qasje e vazhdueshme për bashkërendim ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe KNSH-së për të adresuar të gjitha temat që preokupojnë shqiptarët e Luginës,” – u shpreh Rexhepi.

Ai rikujtoi se Këshilli Kombëtar Shqiptar mbetet institucioni kyç për avokimin dhe afirmimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginë, dhe se bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë është jetik për avancimin e kauzës kombëtare në këtë rajon.

Rexhepi nënvizoi se Shqipëria ka një rol të pazëvendësueshëm, jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në hartimin e politikave konkrete që ndikojnë në zhvillimin dhe garantimin e të drejtave themelore për shqiptarët e Luginës.

Në përmbyllje, ai konfirmoi përkushtimin e tij dhe të Këshillit që drejton për të qenë “një urë bashkëpunimi dhe një zë përfaqësues i interesave të shqiptarëve të Luginës, në bashkërendim të plotë me institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe ato të Republikës së Kosovës.”