Bota

Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë sot bisedime, pa praninë e Putinit dhe Zelenskyt

Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina do të takohen për bisedime të drejtpërdrejta për paqe për herë të parë pas më shumë se tre vjetësh në Stamboll. Megjithatë, përbërja e tyre do të jetë në nivel teknik, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë.

Bisedimet do të mbahen sot, në pallatin “Dolmabahçe”, në Stamboll, dhe do të zhvillohen në mënyrë private, pa praninë e mediave, kanë raportuar mediat ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është nisur drejt Turqisë, sipas agjendës së tij, edhe pse Putin ka refuzuar të udhëtojë për të marrë pjesë në bisedime. Zelensky do të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Ankara, por nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Stamboll.

Ai kishte deklaruar më herët se ishte i gatshëm të takohej vetëm me Putinin dhe jo me zyrtarë të tjerë të nivelit të ulët nga Moska.