Shqipëri

Sali Berisha ende mban shpresa në fitore, thotë se Edi Rama i ka orët e fundit në pushtet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur konferencën e parë pas mbylljes së qendrave të votimit në të gjithë Shqipërinë.

Berisha akuzoi kryeministrin aktual, Edi Ramën, se ka cytur disa banda në Durrës që të ndikojnë në rezultat, dhe sipas tij, kjo nuk është vetëm në Durrës.

“Kjo nuk është vetëm në Durrës, por ata janë më aktiv, janë denoncuar, qoftë nga mediet, qoftë nga PD-ja, edhe në zonat tjera Edi Rama ka zgjedhur një lloj presioni drejt KZAZ-ve”.

“Tani, porosia ime e prerë për të gjithë komisionerët tanë në KZAZ është që të zbatohet ligji dhe vetëm ligji”, tha Berisha.

Tutje, ai tha se asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të numërohet nën presion, teksa shtoi se garanton të gjitha bandat se qeveria, siç tha ai, e Aleancës për Shqipërinë Madhështore do t’i shpallë ato banda terroriste dhe do të marrin ndëhskimet maksimale.

“Unë kuptoj që ata janë në përpëlitjet e tyre të fundit dhe besojnë se mund të ndikojnë në vullnetin e sovranit. Asgjë nuk mund të ndryshojë, populli ka folur në mënyrë vendimtare”, tha Berisha.

Berisha nga konferenca për media i çoi porosi Ramës duke thënë se “janë realisht orët e fundit të tij në pushtet”.

“Të gjithë treguesit janë për një dominim të qartë elektoral të Aleancës sonë. Them edhe rritja e ndjeshme e për qindjes në votim në zonat tona, është një ogur i bardhë për rezultatin e Aleancës sonë. Unë nuk flas për për qindje dhe numra pa dalë ato”, tha ai.