Lajme

Vuçiq diskuton në Bruksel për bashkëpunimin e Serbisë me NATO-n dhe çështje të zgjerimit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se ka një mori çështjesh për t’i diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në prag të takimit me të në Bruksel.

Ai e ka përmendur nevojën e diskutimit për marrëdhëniet bilaterale mes Serbisë dhe NATO-s, për situatën në Bosnje-Hercegovinë dhe për marrëdhënien e Serbisë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe “Kosovën dhe Metohinë” – referencë për shtetin e Kosovës.

Nuk e di nëse kjo darkë do të jetë e mjaftueshme që t’i diskutojmë të gjitha këto tema. Mark Rutte ka qenë shumë i drejtë me Serbinë deri më tani dhe i jam mirënjohës”, ka thënë presidenti serb përmes një postimi në Facebook, duke thënë se shpreson që në të ardhmen do të ekzistojë një bashkëpunim më i mirë mes Serbisë dhe NATO-s.

Më herët gjatë ditës, ai është takuar me Komisionaren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, dhe zyrtarë të tjerë në Bruksel, prej ku ka thënë se shpreson që Beogradi do t’i hapë kapitujt e rinj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vuçiq u ka thënë gazetarëve më 19 mars se me zyrtarët në Bruksel ka diskutuar për obligimet e Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit.

“Ne duhet të jemi më në përputhje me BE-në sa u përket deklarimeve për politikë të jashtme dhe ndonjëherë të votojmë për disa deklarata që kanë të bëjnë me Federatën Ruse, ndonëse për këtë nuk mund të premtoj, sepse nuk gënjej dhe nuk dua t’i gënjej as ata”, ka thënë Vuçiq.