Lajme

Lista Serbe i reagon Kurtit: Në betejën kundër nesh, ai e shkel Kushtetutën dhe ligjet e miratuara në Prishtinë

Lista Serbe ka publikuar një reagim, pak kohë pasi kryeministri Albin Kurti doli në konferencë për media ku foli edhe për këtë subjekt.

Në reagimin e kësaj partie serbe thuhet se Kurti e pranoi se personalisht e ka urdhëruar moscertifikimin e tyre në KQZ.

Tutje ata nuk i kursyen as akuzat ndaj tij.

“Kryeministri Kurti di shumë mirë për autokracinë, diktaturën, korrupsionin dhe anarkinë”.

Kurti tha se sulmi në Ibër-Lepenc u bë me urdhër të Radoiçiqit, ndërsa ky subjekt në reagim thekson se, “përpjekjet e pabaza për kriminalizimin e Listës Serbe dhe shpikja e disa skenarëve fantashkencë janë një tjetër dëshmi se Kurti nuk do të zgjedhë asnjë mjet për t’u marrë me partinë tonë dhe me popullin serb dhe se do të përdorë edhe gënjeshtrat më të ashpra”.

Sipas tyre, vendimi për të marrë pjesë në zgjedhje do të bëhet “për të kundërshtuar shtypjen dhe terrorin e popullit serb nga të gjithë, mjetet demokratike dhe politike”.