Lajme

Shkronjat e fundit të alfabetit, për ta ndalë aktorin në skenë, është ndarja nga kjo botë dhe fillimi i botës tjetër

Intervistoi: PhD.Dashnim HEBIBI /

„Rinia, të them të drejtën, më dhimbset se mungojnë shumë elemente bazë që nuk kanë me çka të merren. Për këtë më dhemb shpirti se dua ta shoh çdo të ri me diçka të merret, por migrimi është kokëdhembje e madhe për Luginën dhe diçka duhet të bëhet sa më shpejt që është e mundur. Se cila do të jetë formula, nuk e di. Një e di se çdo i ri ka vetëm një mendim, e ai quhet migrim drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Po mbesim pa të rinj!“, na tha ndër të tjera z.Veseli.

Intervistë ekskluzive me aktorin e njohur, producentin, ish drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, z. Gani Veseli

Një aktor modest, guximshëm, i pathyeshëm dhe i fjalës. Shumë i sjellshëm. Tregon guximi i tij dhe fjala e dhënë se sonte, kur po afrohen edhe pak orë deri te shfaqja që do jipet në Preshevë në një festival të rëndësishëm, që është folur se do të luhet nga teatri i Preshevës për arsye të njohura por jo publike, është arsyeja që është folur të mos paraqiten, sepse Ganiu nuk është mirë me shëndet. Por, ai na dha intervistën me kënaqësi dhe po përgatitet që të dalë para publikut në këtë festival me shoqërinë e tij. ‘Do të shkoj i shtrirë’, na tha ai, ‘por shokët e mi nuk i lë pa dalë sonte.

Edhe me shëndet jo të mirë do të luaj’. Ai kishte një ndërhyrje shëndetësore, por po ndjehet më mirë për momentin, duke e ditur pasionin e tij të madh që të jetë në skenë. Kjo është bota e artistit. Kjo është jeta e artistit. Kjo është gjuha e artistit, që e jep të gjithën nga vetja, duke e mundur edhe të keqen në organizëm, por të kënaqë artëdashësin. Besoj shumë se sonte do të shkëlqejë, si gjithmonë, si një yll Presheve që bën dritë në çdo kohë, jo vetëm natën. Preshevën nuk e jep për asnjë çmim. Kudo që shkon, me krenari e thotë se është nga Presheva. Të dashur lexues, ju lë ta lexoni intervistën ekskluzive, edhe pse jo mirë me shëndet, siç e përmendëm edhe më lart, ai do të dalë në skenë.

I nderuar z. Veseli, ju falenderoj për kohën që do të ndani për këtë intervistë. E di se jeni në përgatitjet e fundit, duke pritur mysafirë të shumtë, por në anën tjetër e keni edhe përgjegjësinë që të dilni si është më së miri për 30 vjetorin e themelimit të Festivalit ‘Ditët e Komedisë Shqiptare’ që kanë filluar nga data 09 dhjetor 2024. Deri ku keni arritur me përgatitjet?

Ju falënderoj juve dhe ju përgëzoj edhe njëherë për platformën tuaj dhe të të gjithëve. Të uroj shumë suksese dhe besoj shumë se do të vazhdosh të jesh si ke qenë gjithmonë profesionist. Përshëndes lexuesit tuaj dhe me shumë dashamirësi mërgatën tonë që mezi se i presim të na vijnë edhe për festat e fundvitit. Mërgata është pjesë e pandarë e kombit tonë dhe ne e çmojmë shumë, sepse ka dhënë e po jep shumë për atdheun. Është e vërtetë dhe është mburrje që gëzojmë një festival që bën 30 vite jetëgjatësi, por kam një sqarim, sepse do ta kisha ndarë 15 vite të vështirsive që ishte me teatro amatore dhe që e gjenë përvjetorin e 15-të të festivalit profesional që u transformua në vitin 2009 nga festivali amator në atë profesional.

Edhe teatri i qytetit të Preshevës do të jetë pjesë e këtij festivali. Me sa aktorë do të paraqiteni para publikut?

Po, teatri i qytetit të Preshevës, si zakonisht, është pjesë e festivalit me shfaqe në të gjitha organizimet. Kësaj here, si nikoqir, do të luajmë katër aktorë: Valoni, Artani, Egzona dhe unë, natyrisht që të enjten, pra sonte, do të jemi me premierë që do të shfaqet për herë të parë para publikut luginas.

Aktori, padyshim se ka emocione në skenë, sepse personalitetin e tij e lë në shtëpi dhe në anën tjetër hyn në rolin e tij. Emocionet janë më të mëdha para publikut të qytetit tuaj apo është krejt e njejtë, pavarësisht kësaj?

Aktori, asnjëherë në skenë nuk ndryshon për shkak të përgjegjësisë që ka për rolin dhe çdo aktor në skenë jep më të mirën e tij, si të gjendjes emocionale, si të asaj skenike, pasi që është një emocion i papërshkrueshëm. Për aktorin, pothuajse në çdo shfaqje dhe sa herë është para publikut, nuk ndryshon emocioni. Gjithnjë fillon nga zero, por natyrisht se para publikut vendës është edhe më i fuqishëm emocioni, pasi që ke një publik që po bëjmë një jetë që çdo herë e kemi pjesë të shfaqjeve dhe të përkrahjes. Pikërisht, është publiku që na shtyn të jemi sa më të mirë.

Publiku preshevar, do të presë ndonjë çmim nga ky festival?

Mendoj se ne duhet të kryejmë vetëm punën tonë që na takon në skenë. Për ne është shumë me rëndësi që shfaqja të jetë e mirëpritur nga publiku, andaj duartrokitjet për ne janë vlerësimi më i mirë i mundshëm… pastaj këtë pjesë e vlerëson juria, nëse jemi për t’u vlerësuar, pse jo, sepse në skenë jemi të barabartë që të gjithë. E jona është të punojmë për publikun dhe të përfaqësojmë sa më mirë Preshevën apo Luginën, sepse kjo është mënyra më e mirë për të paraqitur një vend me kulturë, me art dhe me trashëgimi, e këtu besoj se ne jemi në kahjen e duhur edhe përkundër që jemi numër i vogël, po mundohemi të bëjmë shumë për Preshevën tonë.

Prej kur ju njoh, keni qenë në skenë. A ka alfabet shpirti i aktorit?

Hahaha, mendoj se ka, por është i papërshkueshëm,  për shkak se është më i gjatë se alfabeti kinez, ose bundu e ku ta di unë, prandaj mendoj se shkronjat e fundit të alfabetit, për ta ndalë aktorin në skenë, është ndarja nga kjo botë dhe fillimi i botës tjetër.

Ju njohim edhe si trim e të pathyeshëm. As ju nuk e latë Preshevën për një vend tjetër edhe pse e dimë se keni pasur presion. Prej nga e gjithë kjo energji pozitive?

Sa trim jam, nuk e di, por që më ndalon aty ku kam të drejtë një shtet i tërë të ngritet, bashkë me disa ligësi që e shesin leht lëkurën për një puthje në ballë e që nuk ia dolën as kësaj radhe, sepse gjithnjë isha në të drejtën time e nuk arritën të më thyejnë. Kjo është energjia, sepse nuk lëndoj askë dhe nuk e urrej askë. Këta, kur mendojnë se janë duke më thyer, pikërisht në këtë moment më forcojnë edhe më shumë dhe për ta lëshuar Preshevën është e veshtirë ta mendoj. E di vetëm zanatin e aktorit, të cilin e bëj me dashuri dhe për vendin tim se shumë vite ia kam dhënë këtij vendi dhe kulturës, prandaj nuk e lëshoj frontin. Jam për paqe, jam për art dhe artisti e ka fjalën e lirë.

Jeni pjesë e teatrove të ndryshme brenda trojeve tona, por edhe jashtë saj. Ju kujtohet se kur dhe ku ishte Ganiu më i miri? Tash, Ganiu që e keni lënë në shtëpi, e vlerëson Ganiun në rol?

Ganiu më i ri ishte në vitet nga ’96 ose ’97 momente që e shoh veten ende në atë periudhë, sepse ishte periudha kur kishim publik plot e përplot. Ishte kohë që kishte më shumë dashuri, më shumë mbështetje, si të rinj kur ishim. Kisha mbështetje të mëdha, sidomos nga e ndjera Prof. Sadete Presheva. Mendoj se dëshiroj ta lë një arkiv të karrierës pas, në kohën që do të vinë pas, për shkak se te ne shqiptarët i vlersojmë në periudhat e plakjes ose pas vdekjes. Sot, ndoshta nuk është shumë interesant për shkak se po e jetojmë këtë kohë mirë, por pas 100 viteve do ti bëjë kurreshtje dhe do të jem shumë intersant për ta lexuar. Ato vite që i përmenda më lart të kujtohen edhe ty, sepse edhe ti, me shokë të tjerë ishe pjesë e shumë nismave në të mirë të kulturës, kur mbushej salla përplot.

Jemi njoftuar me gjendjen reale të teatrit në Preshevë. Besoni se do të keni edhe më shumë përkrahje nga komuna?

Natyrisht se teatri është akoma në vitet e para të jetës që ka vetëm 7 vite që është themeluar dhe sigurisht që duhet sa më shumë ti jipet prioritet, por kjo nuk mungon nga ana e nivelit lokal, pasi që kryetarja aktuale znj. Ardita Sinani ka qenë vet dikur pjesë e teatrit, ndërsa përkrahje më të mëdha presim nga nivelet qendrore, si Shqipëria dhe Kosova, sepse teatri është i kushtueshëm dhe vetëm me buxhetin komunal nuk mund të realizohen projekte të mëdha.

Po nga dy shtetet tona, prisni ndihmë, duke e ditur se në çfarë situate është Presheva?

Po, mendoj se Kosova veçse e ka filluar dhe ka ndarë mjete financiare. Po shpresoj që të ketë edhe dedikim të drejpërdrejt për teatrin ose të jemi pjesë e përbashkët e teatrove të Kosovës që të jemi të barabartë, qoftë edhe me mbështetje të projekteve.  Për Shqipërinë, ende nuk kemi marrë ndonjë përkrahje ose mbështetje, por shpresojmë që edhe ata të fillojnë ta mendojnë seriozisht për këtë pjesë në të gjitha fushat që të përkrahet nga shteti shqiptar.

Me aktorë nga Bujanoci dhe Medvegja, keni bashkëpunim?

Në Bujanoc është numër i vogël. Natyrisht se do të doja që edhe atyre ti hapej rruga e punësimit, edhe pse jemi munduar që ti inkuadrojmê në projekte, por edhe ata kanë nevojë që të jenë pjesë e kuadrit të teatrit të Preshevës, por këtu duhet patjetër që edhe Komuna e Bujanocit të mendojë më shumë për kuadrot dhe për pjesën e teatrit që të jenë bashkëfinancim nga dy komunat. Besoj se do të jetë edhe më e mirëseardhur.

Keni qenë edhe drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë. Pa dyshim se keni pasur projekte, por nuk i keni realizuar, sepse ishte koha e shkurtë me këtë detyrë. Na thoni, cili projekt ju ka mbetur i pajetësuar, njëri ndër kryesorët që nuk keni mundur ta bëni?

Edhe pse ka qenë kohë e shkurtë, për nëntë muaj kam pasur projekte aq të shumta për së pari do të doja të them se projekti më i madh i jetës sime që kam realizuar ka qenë ajo që për 15 vite nuk e kam ndalur gojën deri sa si drejtor i këtij institucionit arrita ta themeloja Teatrin e Qytetit në Preshevë e që sot jemi duke e gëzuar të gjithë ne si aktorë e si qytetarë me sukseset që ia solli ky teatër i themeluar më 13 nëntor të vitin 2017 që ka mbushur 7 vite që nga themelimi. Ajo që më ka mbetur merak për ta realizuar, të them të drejtën, ka qenë TRAVIATA, që isha në finalizim për t`ia sjell Preshevës 130 vetë spektakël që nuk kishin pasur mundësi deri në atë kohë ta shohin as Kosova as Maqedonia dhe unë e kisha fatin që të arrija marrëveshje, por tri javë para se të ndodhte ky spektakël, u shkarkova nga pozita e drejtorit dhe Presheva humbi një gjigand spektakël. Megjithëkëtë, ia solla teatrin.

“Mendoj se viti 2025 do të jetë me projekte të shumta e nuk do të ndalem edhe me filma”

Filmat e juaj u ndaluan, megjithatë u panë nga artdashësit në forma të ndryshme. Keni ndonjë projekt për të ardhmen? E kemi fjalën për ndonjë film?

Po, e vërtetë se u ndaluan nga shteti ku jetojmë, duke ia ndihmuar edhe bashkpuntorët e vendit, por natyrisht që filmin edhe artin nuk e ndalon asnjë turbulencë se gjithmonë ka zgjidhje, sidomos në kohën e sotme. Natyrisht se nuk do të ndaloj. Mendoj se viti 2025 do të jetë me projekte të shumta e nuk do të ndalem edhe me filma, por së shpejti pres një përgjigje që të jem i angazhuar në një proekt që do të jetë shumë i madh dhe në qershor, shumë shpejt, do ta zbulojmë edhe një superspektakël që do të realizohet në Preshevë, ndoshta njëri ndër më të mëdhenjtë që ka pasur Presheva, por po ia lëmë kohës.

A do të largohet Ganiu nga Presheva për ndonjë post të mirë në Kosovë?

Jo, nuk mendoj se posti ma ndryshon vendin. Asnjëherë dhe as që e kam menduar këtë gjë. Ndonjë herë dhe mendoj se një post e kam pasur, kam krijuar atë që e kam dashur me vite, siç e ceka më lart për teatrin e kam arritur qëllimin. Nuk më bëjnë përshtypje postet. Për profesion, natyrisht se po, por gjithmonë me marrëveshje rikthimi.

Si e shihni rininë në atë pjesë të autoktonisë shqiptare?

Rinia, të them të drejtën, më dhimbset se mungojnë shumë elemente bazë që nuk kanë me çka të merren. Për këtë më dhemb shpirti se dua ta shoh çdo të ri me diçka të merret, por migrimi është kokëdhembje e madhe për Luginën dhe diçka duhet të bëhet sa më shpejt që është e mundur. Se cila do të jetë formula, nuk e di. Një e di se çdo i ri ka vetëm një mendim, e ai quhet migrim drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Po mbesim pa të rinj!

Pse do të duheshin të vinin në sofrën e Teatrit të Preshevës, artistë të rinj?

Sepse teatri ështe vet jeta, prandaj duhet të vazhdojnë me këtë rrugëtim, sepse aty, çdo talent e jeton jetën me frymëzimin më të mirë që ia jep jeta dhe talenti, sepse teatri ështe vlerë dhe këtë duhen ta kenë, ta ruajnë dhe ta shfrytezojnë si tempull.

Sa aktorë janë në Teatrin e Preshevës?

Aktor rezidentë janë pesë aktorë dhe një regjisor. Ka tash aktorë që presim të kryejnë aktrimin që ti rikthejmë si kuadër edhe të gjitha kuadrot që janë në vendet e tjera, si aktorë edhe regjisorë, duhet ti sistemojmë në Teatrin e Preshevës. Kështu është edhe më e mirë. Konkurenca edhe njerëzit tanë janë në vendin e vet.

A e ka ngulfatur politika artin atje apo e ka ndihmuar?

Jo, nuk mendoj. Të gjithë ne jemi pjesë te ndonjë subjekti politik. Personalisht jam pjesë e politikës, por asnjëherë nuk e praktikoj brenda institucionit, në ketë rast, teatrit. Ndoshta fakti që jam në politikë, më ndihmon të jem zë i fuqishëm në të mirën e sferës së kulturës dhe komunitetit artistik, përndryshe nuk do të lejoja të bëhet politikë brenda teatrit.

Urimi juaj për vitin 2025 për qyetarët e asaj pjese të kombit dhe për të gjithë shqiptarët?

Ja një mesazh urimi për vitin 2025: Qoftë ky vit i mbushur me gëzim, shëndet dhe suksese. Le të jetë një vit i ri plot me mundësi të reja dhe momente të paharrueshme me ata që doni. Urime dhe falemnderit edhe nga portali juaj! Respekt dhe shumë suksese. Mërgatë e dashur, ju kemi në zemër. Mos e harroni atdheun. Të mos e harrojnë edhe gjeneratat e reja dhe ne do të punojmë që ti motivojmë edhe të rinjtë e diasporës, sidomos gjatë pushimeve që të vijnë te vendi i të parëve. Është e mjaltë Lugina e Preshevës. Gëzuar!