Lajme

Krasniqi nga Haga: Thaçi e Veseli të palëkundur, mbajnë shpresat e shtetit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njoftoi se ka vizituar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin në Hagë të dielën.

Krasniqi në fcb ka shkruar se vizitën e bëri në 30-vjetorin e themelimit zyrtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke thënë se Thaçi e Veseli sakrifikuan gjithçka që Kosova të ishte e lirë.

Sipas Krasniqit, Thaçi dhe Veseli, që sot akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime lufte, qëndrojnë të palëkundur duke mbajtur peshën e historisë dhe shpresat e shtetit.

“Këta udhëheqës, krahas patriotëve të panumërt, sakrifikuan gjithçka që Kosova të merrte frymë lirie. Me të njëjtin zjarr në shpirt, ata sot qëndrojnë të palëkundur duke mbajtur peshën e historisë dhe shpresat e shtetit tonë. Duke mbrojtur luftën e popullit tonë për liri. Forca dhe dinjiteti i tyre përballë vështirësive janë dëshmi e vlerave për të cilat kemi luftuar si popull dhe qëndrueshmëria e tyre në Hagë na frymëzon të gjithëve që të vazhdojmë përpara misionin e tyre: të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë”, ka thënë kreu i PDK-së.

Krasniqi tha se i kujton sakrificat e UÇK-së dhe qëndron me “çdo patriot që barti flakën e luftës çlirimtare”.