Të fundit

Te rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës marrin ftesa për rekrutim në ushtrinë serbe

Një familje shqiptare në komunën e Preshevës përjetoi një situatë të pazakontë dhe shqetësuese.

Një polic serb trokiti në derën e tyre në orët e vona të natës, duke dorëzuar personalisht një ftesë për rekrutimin e djalit të tyre të vetëm në shërbimin e detyrueshëm ushtarak të Serbisë.

Përmes një letre zyrtare, familja mësoi se djali i tyre duhet të paraqitet për rekrutim, si pjesë e planeve të reja të qeverisë serbe për të rifutur këtë sistem.

”Është shqetësuese kjo që duan djalin të na marrin në atë ushtri, derisa ai është student. Apelojmë që kjo të parandalohet, sepse dihen rrethanat tona se ku gjendemi. U bëj thirrje pushteteve komunale, por edhe Qeverive në Tiranë e Prishtinë, bashkë me faktorin ndërkombëtar të ndërhyjnë në parandalimin e kësaj të keqeje”, thotë për INA një prind i shqetësuar.

Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm familjen e tij, por të gjithë shqiptarët e zonës, të cilët prej kohësh ndihen të përjashtuar nga strukturat shtetërore dhe me tensione të vazhdueshme me qeverinë e Beogradit.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë veçanërisht të shqetësuar për rekrutimin e të rinjve të tyre në ushtrinë serbe, duke e parë këtë si një përpjekje për presion dhe kontroll të mëtejshëm mbi komunitetin e tyre.