Tre të akuzuar për rastin e sulmit në Banjskë deklarohen të pafajshëm
Tre të akuzuar për rastin e sulmit në Banjskë, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq dhe Dushan Maksimoviq, u deklaruan të pafajshëm para organeve të drejtësisë në Kosovë.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt të mërkurën seanca përgatitore për rastin e këtij sulmi, në të cilën të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Kosovë, u deklaruan lidhur me fajësinë.
Seanca nisi me leximin e emrave të të akuzuarve që ndodheshin në sallën e gjyqit, ndërkohë që prokurori lexoi aktakuzën.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por vetëm tre prej tyre – Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq – janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Pas seancës së sotme, mbrojtja i ka 30 ditë kohë për të apeluar aktakuzën.
Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq u arrestuan pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, më 23 shtator të vitit të kaluar.
Atë ditë, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit më pas u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur ndodhen në Serbi.