Të fundit

Vuçiq paralajmëroi vizitën e tij në Bujanoc dhe Preshevë: Po i dëgjoj me vëmendje të gjitha vërejtjet nga atje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se po i dëgjon me vëmendje të gjitha vërejtjet e qytetarëve në Preshevë dhe Bujanoc, dhe paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë ato komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Në Gjenevë, Vuçiq, i pyetur për dy protesta, në gusht dhe shtator, të shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc, vlerësoi se bëhej fjalë “për demonstrata për humbjen e pushtetit” të forcave pro Kurtit veçanërisht në Bujanoc.

Në muajin shtator, në Preshevë u mbajt një protestë e shqiptarëve vendas kundër, siç pohonin të mbledhurit, diskriminimit të kryer ndaj tyre nga shteti i Serbisë, një muaj më parë një protestë e ngjashme ishte mbajtur edhe në Bujanoc.

Në Preshevë të tubuarit mbanin pankarta “Stop pasivizimit selektiv”, “Duam tekste shqipe”, “Na ktheni adresat”.

Pas zgjedhjeve lokale të qershorit, në Bujanoc u formua një pushtet lokal multietnik i partive shqiptare, serbe dhe rome, për dallim nga ai i mëparshmi, i cili përbëhej ekskluzivisht nga partitë shqiptare.

Vuçiq vlerësoi se këtu bëhet fjalë më shumë për “demonstrat për humbjen e pushtetit të forcave prokurtiane, sidomos në Bujanoc”, dhe se, siç tha ai, nuk i pëlqejnë shqiptarët që janë në pushtet në Bujanoc me serbët.

“Është çështje demokratike dhe ne nuk kemi problem, në vendin tonë, ndryshe nga situata në Prishtinë, demokracia është e lejuar, në vendin tonë është normale që dikush të demonstrojë dhe ne nuk kemi problem kur demonstrojnë shqiptarët” ka thënë Vuçiq, përcjell preshevacom.

Ai në përgjigjen e tij ka përmendur se të gjitha vërejtjet e tyre dëgjohen me kujdes dhe se beson se është më e rëndësishme që disa nga investitorët e mëdhenj të vijnë në Bujanoc, por edhe në Preshevë.

Ai përkujtoi se ka qenë në Preshevë (para disa vitesh) dhe se atëherë ka hapur një maternitet dhe se ka qëndruar disa herë në Bujanoc dhe se ka punuar që fshatrat serbe dhe shqiptare të asfaltohen njësoj.

“Së shpejti do të rindërtojmë një shkollë dhe do të investojmë shumë para në një nga fshatrat shqiptare, do të vazhdojmë të investojmë para dhe të ndihmojmë njerëzit që jetojnë atje poshtë dhe të vazhdojmë jetën tonë të përbashkët”, tha Vuçiq.