Lajme

Policia e Kosovës konfirmon mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri

Policia e Kosovës ka konfirmuar të hënën për Radion Evropa e Lirë se i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).