Bota

Bideni tërhiqet nga gara për president

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është tërhequr nga gara presidenciale, pas kritikave nga aleatët e partisë së tij, të cilët humbën besimin në aftësinë e tij për të mposhtur, kandidatin republikan, ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Biden e ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetin social “X”. Ai ka thënë se do të shërbejë si president i vendit dhe Komandant i Përgjithshëm deri në fund të mandatit të tij, në janar të 2025-s. Ka bërë po ashtu të ditur se do t’i drejtohet kombit këtë javë.

“Sot, Amerika ka ekonominë më të fortë në botë. Ne kemi bërë investime historike në rindërtimin e kombit tonë, në uljen e kostove të barnave për të moshuarit dhe në zgjerimin e kujdesit shëndetësor të përballueshëm për një numër rekord…E di që asnjë nga këto nuk mund të ishte bërë pa ju, populli amerikan. Së bashku tejkaluam një pandemi një herë në shekull dhe krizën më të keqe ekonomike që nga Depresioni i madh. Kemi mbrojtur dhe ruajtur demokracinë tonë. I kemi rigjallëruar dhe forcuar aleancat tona në mbarë botën. Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. Derisa synim i imi ka qenë të kërkoj rizgjedhje, besoj se është në interesin më të volitshëm të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të fokusohem vetëm në përmbushjen e detyrave të mia si president për pjesën e mbetur të mandatit tim”, thuhet në letrën e Bidenit.

Me këtë vendim, presidenti amerikan i ka hapur rrugën zëvendëspresidentes, Kamala Harris, për të kandiduar nga radhët e demokratëve për garën presidenciale, raporton “Reuters”.

Bideni është shprehur se e mbështet për kandidate Kamala Harris.

“Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e nominuara e partisë sonë. Demokratë, është koha të mblidhemi dhe të mundim Trumpin”, ka thënë Biden.