Lajme

Kurti: Serbia po propagandon për dhunë ndaj serbëve në Kosovë, faktet flasin të kundërtën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se bazuar në statistikat e Policisë nga 86 vrasje se janë kryer nga viti 2021 deri më vitin 2024, 81 prej viktimave ishin shqiptarë, tre serbë e dy të etnive tjera. 

Ai ka thënë se të dyshuar serbë janë arrestuar për vrasjen e tre serbëve, dy në Mitrovicë të Veriut e një në Graçanicë. 

Kurti ka theksuar se Serbia po vazhdon me propagandën për dhunën ndaj serbëve në Kosovë, porse të gjithë sipas tij e dinë se ajo thjeshtë është propagandë dhe se faktet flasin të kundërtën. 

“Statistikat zyrtare të policisë tregojnë se nga viti ’21 deri më ’24, në Kosovë ka gjithsej 86 vrasje: 81 shqiptarë, 3 serbë e dy të etnive tjera. 3 serbët u vranë në vitin ’22; dy në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe një në Graçanicë. Ka vetëm serbë të dyshuar për tri vrasjet. Në Mitrovicën e Veriut një serb dyshohet se ka vrarë babanë dhe vëllanë e tij. Në Graçanicë, një serb dyshohet se ka vrarë vëllain e tij. Rasti në Banjska është i veçantë ku tre pjesëtarë paraushtarakë serbë vdiqën në shkëmbim zjarri me policinë pas vrasjes së zyrtarit policor Afrim Bunjaku më 24 shtator.  Çdo person në Kosovë, vendor apo ndërkombëtar, e di se: propaganda serbe për dhunën kundër serbëve është – propagandë. Faktet flasin vetë, duke hedhur poshtë gënjeshtrat tinëzare dhe duke zbuluar gjatësinë që do të shkonte një regjim autoritar për të mbjellë kaos”, ka shkruar Kurti në platformën “X”. Ai ka thënë se u ka kërkuar të hënën ambasadorëve të QUINT-it të përkrahet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës.