Mitsotakis nga Beogradi: Nuk kemi ndryshuar qëndrimin karshi Kosovës
Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar – kështu ka thënë kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd, të hënën.
“Ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë mënyra e vetme për të normalizuar raportet mes dy palëve. Kjo do të ndihmonte ndjeshëm stabilitetin në rajon. Ne po i shikojmë dhe ndjekim me ankth ngjarjet e mujave të fundit”, tha Mitsotakis pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Udhëheqësi grek tha se shteti i tij mbështet Serbinë në rrugën e saj evropiane.
“Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është qëllimi ynë strategjik. Është e rëndësishme për Beogradin që të përfitojë nga këto rrethana pozitive në procedurën evropiane. Duke përshpejtuar reformat në shtetin tuaj, ju do t’i afroheni BE-së”, shtoi ai.
Kryeministri grek po ashtu theksoi se ka parë përparim në raportet mes Athinës dhe Beogradit. Sipas Mitsotakis, bashkëpunimi mes Greqisë dhe Serbisë është zgjeruar në sektorin e energjisë dhe Athina mbështet projektet infrastrukturore dhe investimet e BE-së në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.
Greqia është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, së bashku me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë.