Sinani: BE-ja nuk po reagon ndaj spastrimit etnik të shqiptarëve në Luginë
Këshilltarja për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në Qeverinë e Kosovës, Ardita Sinani ka reaguar për ngjarjet e fundit në Kosovë, duke thënë se Bashkimi Evropian nuk po reagon ndaj spastrimit etnik të shqiptarëve në Luginë. “Por kur bëhet fjalë për Serbinë, duket se vlejnë standarde tjera. Për shembull, pse asnjëherë nuk e dëgjuam të njëjtën thirrje nga BE-ja për çështjen e pasivizimit të adresave dhe spastrimit etnik administrativ të shqiptarëve nga Serbia në Luginë?”, ka shkruar Sinani.
Reagimi i plotë pa ndërhyrje :
Kur bëhet fjalë për Kosovën, BE-ja lehtësisht bën thirrje që çështjet e brendshme si mbyllja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe zbatimi i Kushtetutës së Kosovës për përdorimin e valutës së EURO-s të jenë pjesë e diskutimeve e temave të dialogut në Bruksel.
Por kur bëhet fjalë për Serbinë, duket se vlejnë standarde tjera. Për shembull, pse asnjëherë nuk e dëgjuam të njëjtën thirrje nga BE-ja për çështjen e pasivizimit të adresave dhe spastrimit etnik administrativ të shqiptarëve nga Serbia në Luginë?
Apo për mospërmbushjen e marrëveshjeve të miratuara prej saj për Luginën e Preshevës, siç janë: integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë?