Latifi: T’i mbështesin bashkërisht shqiptarët e Luginës së Preshevës
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Nevzat Lutfiu u prit në takim nga kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, nga i cili mori mbështetje për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Për këtë takim që e quajti vëllazëror ka shkruar kryetari Latifi, i cili u premtoi edhe mbështetje shqiptarëve që jetojnë në trojet autoktone, ku padrejtësisht dhe dhunshëm, siç tha ai, po u mohohen dhe shkelen të drejtat kombëtare dhe ato individuale nga Serbia.
“Me Lutfiun folëm për shqetësimet dhe nevojat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për padrejtësitë e mëdha dhe diskriminimin sistematik që u bëhet atyre nga shteti dhe institucionet qendrore e lokale të Serbisë”, tha Lutfiu.
Latifi tha se në takim kanë shpreh gatishmëri që bashkërisht të kujdesen dhe të përpiqen për mbrojtjen e qenies kombëtare shqiptare në Luginë, si dhe për realizimin e të drejtave që po u shkelen, “për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, të artit, të kulturës dhe të identitetit shqiptar, si dhe për kthimin e tyre në trojet e veta”. /RTK