Serbia shpall ditë zie për sulmuesit e vrarë në veri të Kosovës
Qeveria e Serbisë, në përkrahje të sulmuesve të vrarë në veri të Kosovës të dielën, ka shpallur 27 shtatorin ditë zie.
“Qeveria e Serbisë u kërkon mediave dhe organizatorëve të ngjarjeve publike të përshtatin programin e tyre me ditën e zisë të mërkurën, 27 shtator, ashtu që të respektojmë viktimat në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
Në përkrahje të sulmuesve të vrarë, edhe Lista Serbe ka shpallur tri ditë zie në zonat me shumicë serbe në Kosovë.
Serbia nuk ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës.