Lajme

Vizita e Kurtit në Maqedoni të Veriut ndezi nacionalizmin maqedon kunder shqiptareve

Që më shumë se 30 vite, shqiptarët në Kosovë dhe ata në Maqedoni të Veriut janë përcaktuar të jetojnë ndaras. Pavarësisht nëse një vendim i tillë ishte vullnetar apo i imponuar nga rrethanat, prej viteve 90-ta dy shoqëritë janë zhvilluar ndaras, paralelisht, shpesh si dy ishuj tërësisht të veçantë.

Kemi dy shtete të ndryshme, shumë universitete të ndara, disa televizione. Natyrisht, varfërinë, ikjen, korrupsionin i kemi të përbashkëta. Dhe kështu do të mbesë, përkundër vizitës krejtësisht të çuditshme të Albin Kurtit javë që po ikën.

Kurti shkoi në Çair e Tetovë dhe me shpejtësi u kthye nga atje. Pak orë vizitë, disa fjalime, shumë dalldisje mes muzikës patriotike, himnit kombëtar dhe emocionit disi të shtisur të vëllazërisë së përjetshme. Por shija e hidhur dhe, me shumë gjasë, ndjenja e turpërimit te shumica maqedonase kanë mbetur edhe pas vizitës së Kurtit.

Në fakt, takimi në Çair e Tetovë i ka bashkuar radhet maqedone, pasi kundër vizitës së Kurtit reaguan që nga presidenti liberal Pendarovski, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, LSDM-ja e deri te partitë maqedone me ngjyrime nacionaliste e organizata ekstremiste si Diaspora e Bashkuar Maqedone. Pra Kurti e hegjemonizoi politikën e shoqërinë maqedone në kundërshtimin ndaj tij e partive opozitare shqiptare.

Albin Kurti / Presidenti i Maqedonisë për tubimin ku mori pjesë Kurti: Organizatorët duhet të sanksionohen
Vizita e Kurtit ka rrezik të ngjallë nacionalizmin e fjetur, duke e kthyer potencialisht sërish klimën e urrejtjes, mosdurimit e polarizimit të shoqërisë multi-etnike të Maqedonisë së Veriut, një e kaluar që dukej tashmë e lënë prapa. Kur nxehen gjakrat e ashpërësohet gjuha nacionaliste, të parët që zhduken nga skena janë politikanët e moderuar, të cilët e kërkojnë konsensusin e kompromisin ndëretnik.

Prandaj gjykoj se vizita ishte e gabuar, sepse të gabuara ishin edhe mënyra, edhe arsyet, edhe momenti i sorollatjes disa-orëshe të Kurtit në Maqedoninë e Veriut. Para së gjithash, vizita na tregoi edhe një herë mungesën e përgjegjësisë prej lideri të Kurtit, ngase e trazoi panevojshëm marrëdhënien me Maqedoninë e Veriut, një vend miqësor me Kosovën. Duket se Kurti nuk arrin të kuptojë se më nuk është politikan i një partie opozitare, por udhëheqës i një shteti të pavarur, i cili duhet të kontribuojë për stabilitet e paqe rajonale.

Gjatë tërë jetës së tij politike, Kurti është kujdesur të ndërtojë simbolika, të dërgojë mesazhe, të krijojë narrativë. Edhe vizita në Tetovë e Çair – dyshoj që shumica e kosovarëve të kenë dëgjuar më parë për këtë emër me katër shkronja – ishte pjesë e performancën politike të Kurtit. Me vizitën e tij joformale, Kurti synoi të arrijë dy objektiva, që më shumë janë dy kumte, një për konsum të brendshëm në Kosovë dhe, një tjetër, që i kushtohet elektoratit shqiptar në Maqedoni të Veriut.