Kamberi: Arrestimi i policëve është akti më brutal i Serbisë ndaj shtetit të Kosovës
Për situatën e krijuar pas arrestimit të tre policëve në veri të Kosovës, ka reaguar kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe deputeti popullor, Shaip Kamberi
Kamberi ka deklaruar se “Akti i sotëm i njësiteve speciale të Serbisë, të cilat kanë arrëstuar tre pjesëtarë të policisë së Kosovës është ndër aktet më provokative të cilat ka ndërmarë Serbia ndaj shtetit të Kosovës kufijtë e të cilit mbrohen nga ushtarët e Aleancës Veri – Atalntike”
Postimi i plotë i Shaip Kamberit
Eskalim në vend të de-eskalimit.
Futja në territorin e një shtetit tjetër dhe arrestimi i pjesëtarëve të saj të rendit dhe ligjit përbën aktin më brutal të cënimit të stabilitetit rajonal.
Akti i sotëm i njësiteve speciale të Serbisë, të cilat kanë arrëstuar tre pjesëtarë të policisë së Kosovës është ndër aktet më provokative të cilat ka ndërmarë Serbia ndaj shtetit të Kosovës kufijtë e të cilit mbrohen nga ushtarët e Aleancës Veri – Atalntike.
A është kjo hakmarrje e Serbisë ndaj arrestimit të djeshëm të një serbi në veri të Kosovës, (i akuzuar për sulme ndaj forcave ndërkombëtare) apo motivi i këtij akti provokimi të paqes dhe stabilitetit shkon në shërbim të nevojave të politikës së brendshme të A. Vuçiq, i cili përditë po përballet me revoltën në rritje gjithpopullore ndaj regjimit të tij autokrat?
Sa për njohuri, që nga viti 2001, Serbia, nën akuzën e trilluar për terrorizëm, në Luginë të Preshevës, ka arrestuar dhjetra të rinjë.
Ndaj tyre janë shqiptuar dhjetëra vite dënime më burgje.
Ka dënuar edhe krerët e partive politike për përdorim të simboleve kombëtare, por, asnjëherë nuk ka patur reagim të këtilla të provokimeve brutale ndaj paqes nga ana e Kosovës.
Koinçidencë apo jo, sot, në parlament është dashur të nisë seanca me pikën e rendit të ditës e që ka të bëjë me shkarkimin e ministrit të punëve të brendshme, B.Gashiq, të cilin opozita e konsideron fajtor për masakrat e fundit që ndodhën në një shkollë fillore në Beograd dhe në një fshat në Serbi.
Fillimi i senacës ka dështuar sepse deputetët e pozitës nuk kanë qëndruar në sallë për të krijuar kuorum. Kjo dëshmon se sa e rëndësishme është për Aleksandar Vuçiqin që ta ruaj Bratisllav Gashiqin në vendin e ministrit të brendshëm.
Metoda më e përhapur e regjimeve autokrate është që në „rast të krizave të brendshme duhet gjetur apo trilluar armiq të jashtëm”.
Në një opinion të frymëzuar në vazhdimësi, nga media e kontrolluar, me urrejtje ndaj shqiptarëve, në situatë kur regjimi i Vuçiq po përballet me kërcënimet e brendshme, nuk ka temë më të përshtatshme se Kosova përmes të cilës tentohet të largohet vëmendja nga problemet e brendshme.
Ky veprim është në kundërshtim të plotë me aspiratën për paqe e stabilitet në rajonal, prandaj edhe ky akt shkon në shërbim të destabilizimit të mëtutjeshëm të situatës në Veri të Kosovës.
Në anën tjetër, momente sikurse ky i sotit, duhet të na rikthejnë në vëmendje faktin e pakontestueshëm se, sikurse e djeshma, as e sotmja e as e nesërmja e Kosovës nuk do të jenë të garantuar pa aleancën e shenjtë me partnerët perëndimorë.
Ballkani Perëndimor është pjesë e rendësishme dhe strategjike e fuqive perëndimore dhe gjithkush në të duhet të punojë për të kultivuar dhe ruajtur paqën dhe stabilitetin.
Prandaj, dialogu nuk ka alternativë.