Mustafi: Me vullnetin tim nuk do të jem anëtar i KKSH-së
Kryetari në largim i KKSH-së, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se nuk do të jetë më anëtar i këtij institucioni.
Ai ka bërë një rikapitulim të procesit zgjedhor por edhe të punës së tij gjatë këtyre viteve. Ka falenderuar bashkëpunëtorët si dhe u ka dëshiruar suksese përbërjes së re të Këshillit Kombëtar.
Postimi i Mustafit:
Të dashur bashkëkombës,
Dje, Kuvendi i elektorëve me 512 nga 523 sosh zgjedhi 15 delegatët e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Kjo krijon mundësi për themelimin e organeve të reja qeverisëse të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Dje, unë, me vullnet timin, nuk isha bartës i listës. Pra nuk do të jem anëtar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në katër vitet e ardhshme.
Nuk jam pretendent për ndonjë pozitë në përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar, pavarësisht se lista që kam prirë në dy ciklet zgjedhore fitoi mbeshtetjen më të madhe të shqiptarëve.
Por, fakti se isha bartës i listës që fitoi zgjedhjet e drejtëpërdrejta nuk u respektua nga përfaqësuesit e listave të tjera. Kushtëzuan. Pa respektuar vullnetin e sovranit.
Megjithatë, pranova të tërhiqem.
Por ajo nuk ishte tërheqje dobësie. Përkundrazi. Është tërheqje force. Respekt i vullnetit popullor.
Se shqiptarët votuan për Këshill Kombëtar Shqiptar. Jo për shuarjen e tij që ishte mundësi reale.
Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk shuhet. Pikë.
Prandaj, sot, falenderoj shqiptarët që nëpërmjet zgjedhjeve të drejtëpërdrejta, si procesi më demokratik, votuan që t’i shërbejë nga pozita e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Por duhet të vazhdojmë ta vendosim interesin e përgjithshëm mbi atë personal.
Më e rëndësishmja sot është ruajtja e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Se përtej funksioneve dhe pozitës mbeten shqiptarët e Luginës. Fati ynë i përbashkët. Lufta e pakompromis për liri, barazi dhe drejtësi.
Për katër vjet, këto parime nga idealet i fuqizuam në praktikë dhe vepra konkrete për të krijuar një vetëdijeje të re dhe një qeverisje të mirë.
Pra, bëmë atë që thamë e thamë atë që bëmë. Tejkaluam çdo pritshmëri.
Nga bllokimi financiar për të funksionuar KKSH në shtrirjen me zyre në Medvegjë dhe Preshevë.
Nga mungesa e kredencave në një institucion të referuar e me kredibilitet.
Përfshijmë KKSH në projektet e diplomacisë ndërkombëtare, sidomos amerikane.
Si kurrë më parë, në bashkërendim dhe bashkëveprim me Kosovën dhe Shqipërinë.
Nga moslejimi i librave shkollore, në libra nga Shqipëria e falas nga Kosova. Për secilin nxënës.
Nga zero mjete për art, kulturë, media, letërsi, sport, rini, gra, në projekte mbi 2 milion euro.
Rreth 120 ditë përballje në Gjykata për flamur, për dinjitet dhe identitet, për të drejtat e shqiptarëve.
E shumë projekte sistematike dhe programatike.
Falenderoj Partinë për Veprim Demokratik për vlerësimin, besimin dhe kandidimin tim për një mandat të ri.
Falenderoj për bashkëpunimin kryetarin Shaip Kamberi , si dhe Ardita Sinani , Burhan Halili dhe Enver Ramadani.
Falenderim të veçantë për të gjithë aktivistët që me angazhimin e palodhur besuan për programin “Më shumë Kosovë e Shqipëri në Luginë”.
Mirënjohje çdo votuesit. Edhe atyre që nuk më kanë votuar.
Falënderoj çdo anëtar të KKSH. Çdo bashkëpunëtorë për ndihmën dhe angazhimin.
Natyrisht. Nuk mund të mos shpreh mirënjohjen më të thellë për Alban Alili, Lemane Mustafa, Raif Qerimi, Enkel Rexhepi, Enver Mehmeti, Amir Latifi, Muhamet Mustafa, Besim Nasufi, Flora Hida, Lirona Zuka e shumë të tjerë.
Shumë respekt për Qeverinë e Shqipërisë dhe Qeverinë e Kosovës, që mbështetën shqiptarët përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Falenderoj partnerët ndërkombëtarë për përkrahjen.
Krejt në fund falenderoj shokët, miqtë e familjen time për mbështetje të parezervë.
Gruan Shqipen dhe dy djemtë tanë. Vëllezërit Basriun, Avninë dhe Selamiun.
Ndërsa prindërve të mi, duke i kërkuar ndjesë për shqetësimet që i kam shkaktuar, ju shpreh tërë mirënjohjen time që më kanë edukuar për ta dashur kombin pa urryer të tjerët.
Përuroj anëtarët e ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar. I uroj suksese në drejtim, kryetarit të ri, z.Nevzad Lutfiu.
Suksesi i tyre është suksesi i shqiptarëve.
Vazhdojmë bashkë. Për më shumë Shqipëri dhe Kosovë në Luginë ❤️👊